Lajme Shqip Wednesday, 19 March 2014 15:35

Kryeministri i Kosovës dhe njëkohësisht Kreu i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi, po planifikon që me anë të një marrëveshjeje mes liderëve të partive politike, të caktohet data e shpërbërjes së Parlamentit dhe që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, njofton gazeta ‘Tribuna’.

 
Mocioni për shpërbërjen e parlamentit është një nga mundësitë kushtetuese për t’i përshpejtuar zgjedhjet. Ky opsion në fakt po del të jetë edhe më i pranueshëm për dy partitë e mëdha, PDK e LDK, dhe jo shkarkimin e Qeverisë që kërkon AAK.

Siç njofton gazeta ‘Tribuna’ kryeministri Thaçi në cilësinë e kreut të PDK, këtë javë planifikon të organizojë një tryezë të përbashkët me partitë politike, ku nga ky takim mund edhe të merret vendimi përfundimtar për mënyrën se si dhe kur Kosova mund t’i mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Edhe pse askush nga zyrtarët e lartë të kësaj partie nuk ka dashur të flasë publikisht për këtë çështje, një draft-marrëveshje është duke u hartuar dhe ajo do t’i prezantohet të gjitha partive politike në takimin e tyre të përbashkët, njofton gazeta ‘Tribuna’