Lajme Shqip Tuesday, 09 April 2013 12:17

TIRANE- Ardian Tana kryetari i Shoqatës Çamëria ka reaguar sot për rezolutën e çështjes Çame, që sipas PDIU-së po zvarritet pa të drejtë.

“Shoqata Çamëria ndjek me vëmendje dhe pritshmëri zhvillimet e fundit në lidhje me miratimin e një dokumenti historik të të drejtave të njeriut, Rezolutën për Zgjidhjen e Çështjes Çame. Kjo rezolutë është po aq kombëtare sa edhe politike, një domosdoshmëri për të nisur mbylljen e një plage të hapur të shoqërisë sonë. Ndonëse ishte paralajmëruar, po shohim me shqetësim faktin që komisioni i jashtëm nuk po mblidhet sot dhe njëri prej relatorëve është izoluar në fshatrat e zonës së tij elektorale për fushatë”, tha Tano, duke e cilësuar këtë zvarritje të patolerueshme.

Nisur nga kjo zvarritje, PDIU-ja pritet të protestojë ditën e enjte në orën 11:00 përpara Parlamentit, ndërsa fton të gjithë shqiptarët të jenë pjesë e këtij tubimi.

“Miratimi i kësaj rezolute, sot, duhet të jetë në plan të parë, pas 70 vjetësh nëpërkëmbjeje dhe heshtjeje ndaj çështjes çame, një padrejtësie të madhe të ushtruar ndaj kombit tonë. Kjo zvarritje e pajustifikuar nuk mund të pranohet nga asnjë shqiptar. Për këtë arsye, Shoqata Çamëria dhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ftojnë të gjithë shqiptarët ditën e enjte në orën 11 përpara parlamentit për të protestuar në mbështetje të miratimit të rezolutës. Ftojmë në këtë tubim paqësor të gjithë shqiptarët e Çamërisë, prindërit e të cilëve kanë humbur jetën apo janë dëbuar në një spastrim të egër etnik.

Por mbi të gjitha, ftojmë çdo shqiptar, pavarësisht prejardhjes dhe bindjeve politike, që të shpreh vullnetin e kombit tonë për të çuar drejt zgjidhjes këtë çështje kombëtare. Ditën e enjte, në orën 11 përpara parlamentit, ne do të tregojmë se rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame ka mbështetjen e të gjithë kombit, e si pasojë zvarritja taktike e saj, nuk i shërben askujt”, shtoi ai.(LajmeShqipcom)