Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 16:36

Tiranë – Deputeti i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Dashamir Tahiri u prononcua sot në lidhje me regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Pas seancës plenare, ku u vendos që ky ligj të kalojë për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar, deputeti Tahiri ripohoi qëndrimin e kahershëm të PDIU-së për të mos e votuar një ligj për regjistrimin ku kombësia dhe feja do të përcaktohen me vetëdeklarim. Ai tha se kjo do të ishte antishqiptarizma më e madhe që do të bëjë ky parlament.

“Ne do të votojmë ligjin për regjistrimin e popullsisë, por vetëm me një kusht që nuk do të ketë në formular pyetje me vetëdeklarim të pabazuar në fakte dhe në prova për kombësinë dhe fenë. Nëse një ligj që përmban pyetje të tilla do të votohet, do të jetë antishqiptarizma më e madhe që do të bëj ky parlament”, tha deputeti Tahiri.

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka qenë forca e parë politike që ka kundërshtuar me forcë një regjistrim me pyetje me vetëdeklarim për kombësinë dhe fenë. Regjistrimi i popullësisë është një procedurë që çdo shtet e ndjek dhe kryhet në mbarë botën, në çdo vit të dytë të dekadës. Pyetjet mbi përkatësinë etnike, fetare dhe gjuhësore nuk përfshihen në pyetësorët e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, përfshi shtete që kanë minoritete apo grupime të mëdha etnike dhe gjuhësore, siç janë: Greqia, Spanja, Franca, Italia, Gjermania, Belgjika, Zvicra, etj.

Në BE, nga 27 vende anëtare, përafërsisht vetëm 10 kryejnë regjistrimin mbi këto baza, të gjitha shtete multietnike dhe lindore.