Lajme Shqip Monday, 08 August 2011 14:28

Tiranë – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ripërsëriti sot thirrjen ndaj qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës për nisjen e bashkimit ekonomik mes dy vendeve.

Në një deklaratë për mediat, drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në PDIU, Ardit Bido tha se “sot, më shumë se kurrë, është e domosdoshme që dy tregjet të integrohen, duke fuqizuar në këtë mënyrë ekonominë në të dyja vendet dhe duke arritur një kohezion të domosdoshëm kombëtar”.

Duke shprehur përkrahje pa rezerva për marrëveshjen e arritur ndërmjet forcave të KFOR-it dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për pikat doganore në pjesën veriore të shtetit, PDIU vlerëson se kjo marrëveshje përbën hapin e parë të domosdoshëm drejt vendosjes së sundimit të ligjit në veriun e Kosovës.

Gjithashtu PDIU dënon çdo propozim dhe ide për dhënien e një statusi special për veriun e Kosovës, si një propozim që do të ringjallte konfliktet e vjetra në Ballkan dhe që nuk i shërben të ardhmes evropiane të rajonit.

“Çështja e pjesës veriore të Kosovës, nuk është një çështje që i takon vetëm Kosovës por i takon mbarë kombit shqiptar. Si pasojë, çdo tentativë për një status special për veriun e Kosovës do të përballet me një reagim mbarëkombëtar”, përfundoi deklaratën për mediat, Ardit Bido.