Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 16:44

Tiranë – Shoqata “Çamëria”, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet çelën sot në mjediset e Hotel Tirana, “Javën çame – Trëndafilat e Çamërisë“.

Java përkujtimore, që do të përmbajë një sërë aktivitetesh me kulmim në marshimin tradicional çam, në Qaf-Botë të Sarandës më 25 qershor, u çel me poezinë “Trëndafilat e Çamërisë“, të shkruar nga poeti shqiptar i Kosovës, Fatmri Muja dhe të performuar nga artisti i mirënjohur, Mirush Kabashi.
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, theksoi se çështja çame do të gjejë rrugën e zgjidhjes dhe parashtroi hapat e ndërmarrë dhe që janë në progres në lidhje me këtë çështje.

“Më konkretisht ne na është premtuar nga shumica në pushtet, me të cilën ishim në koalicion, që në përputhje me detyrimet e Traktatit të miqësisë, kjo çështje do të trajtohet si duhet. Ky është minimumi që mund të bëjë qeveria dhe ne do ta shtyjmë që ajo të mos i shmanget detyrimit për të cilin është zotuar”, tha Idrizi, duke shtuar se “duhet  të miratojmë një rezolutë në parlament, e cila do të ketë karakter detyrues për qeverinë, pra kjo çështje nuk do të jetë thjesht detyrim mes palësh politike, por detyrim i gjithë klasës politike shqiptare.

“Ka ardhur koha që kjo rezolutë nuk mund të shtyhet më. Ne sot nuk jemi më një parti e vogël me dy deputetë; ne kemi 65 mijë vota në më pak se një vit  jetë e 2 muaj pas bashkimit. Ne do të jemi shumë shpejt faktor real politik, i cili kushtëzon fitoren e çdo lloj aleance”, tha ai.
Theks të veçantë në fjalimin e tij mbajti vendimi i fundit i qeverisë greke për shitjen e pronave në zonat kufitare, ku me shumë gjasa pronat që do të shiten janë pronat e shqiptarëve të Çamërisë.
“Ne po studiojmë dhe rastin e shitjes së pasurive greke në zonat kufitare, si pasojë e krizës ekonomike që po kalon vendi fqinjë.  Ju e keni dëgjuar lajmet se Greqia po lejon shitjen e këtyre pasurive të vendosura në të ashtuquajturat zona kufitare, përfshirë Selanikun. Ne kemi dyshime të forta se këto prona janë prona shtetërore, që shteti grek ua ka dhënë në përdorim privatëve, prona që dikur iu takonin jogrekëve. Këto prona, me shumë gjasa, janë prona të shqiptarëve të përzënë me forcë, apo të spastruar etnikisht, në fund të Luftës së Dytë Botërore, sepse nuk dimë që shteti grek të ketë prona të tjera në këto zona. Ne nuk dimë prona të tjera që të mund të jenë të bllokuara që nga Lufta e Dytë Botërore. Nëse është e vërtetë kjo, atëherë ne do të protestojmë fuqimisht në të gjithë instancat ndërkombëtare. Ne nuk do të lejojmë që të shiten pasuritë tona”, tha kryetari i PDIU-së.