Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 19:15

Tiranë – Partia Demokratike reagoi sot ndaj deklaratës së selisë rozë, sipas së cilës PS nuk e njeh rezultatin e shpallur nga KQZ mbrëmjen e së shtunës për Bashkinë e Tiranës.

Zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj, u shpreh se, “sot vijoi maskarada e z.Rama për të errësuar procesin zgjedhor. Të gjithë qytetarët shqiptarë e dinë se këto zgjedhje ishin të ndershme, të lira, transparente dhe zgjedhjet më të mira që janë bërë në Shqipëri, ku gjithçka u shpalos drejtpërdrejt në ekran”.

“Në këto zgjedhje në rang vendi morën pjesë rreth 1 milionë e 600 mijë qytetarë, duke bërë që zëri i tyre të dëgjohej, një pjesëmarrje rekord kjo përsa i përket zgjedhjeve lokale, por edhe të përgjithshme”, kujtoi Mustafaraj, e cila shtoi se “më shumë qytetarë votuan për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” në Tiranë, por më e rëndësishme se kjo, është fakti se u dëgjua zëri i çdo qytetari”.

Po sot Partia Socialiste deklaroi përmes deputetës Eglantina Gjermeni se “rezultati është një manipulim për të fshehur disfatën elektorale në mbarë Shqipërinë” dhe për të cilën kryeministri dhe kreu i KQZ “do të mbajnë përgjegjësi”.

Gjermeni shprehu bindjen se Partia Socialiste do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore e bindur në drejtësinë e kauzës së saj. “Numri i votave që nuk përputhet me numrin e votuesve, provat e qarta të manipulimit dhe cënimit të integritetit të kutive që i panë të gjithë, janë fakte të pakundërshtueshme të pavlefshmërisë së rezultatit të shpallur nga KQZ”, përfundoi Gjermeni deklaratën e saj.