Lajme Shqip Wednesday, 22 June 2011 17:53

Tiranë – Kryesuesja e listës së kandidatëve për këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku, deklaroi përpara mediave se Edi Rama është i vetmi person që sulmon një gjykatë edhe kur ajo ka dhënë një vendim në favor të tij. Ajo cilësoi, gjithashtu, se demokracia nuk i përket partive por qytetarëve.

“Edhe një herë dëgjuam, sot, akuzën e vjetër, të ricikluar, të lodhur dhe komplet absurde. Prandaj, kur do ta mësojë z. Rama se demokracia nuk i përket partive politike, por qytetarëve, se vjedhje e zgjedhjeve, është të mos numërosh votat, se farsa e vërtetë do të ishte një demokraci ku nuk dëgjohet zëri i çdo qytetari, se është e papërshtatshme të kërcënosh institucionet e pavarura, ndërsa gjithë komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar të respektohet vendimi i Kolegjit Zgjedhor”, ka thënë Jorida Tabaku, që sipas saj Rama është, ndoshta, personi i parë në histori, që sulmon një gjykatë që ka dhënë një vendim në favor të tij. Ajo ka thënë se të gjithë qytetarët e kanë kuptuar se dëshpërimi i Edi Ramës ka arritur në një nivel të ri.

“Është e qartë se z. Rama ka humbur gjithë shpresat që më shumë qytetarë të kenë votuar për të, edhe pse ka ende vota për t’u numëruar. Ndaj z. Rama është në panik”, tha Tabaku, duke shtuar se Rama mund të nxjerrë sa njerëz të dojë dhe të akuzojë sa të dojë, por kjo nuk i bën të vërteta akuzat e tij absurde dhe sipas saj, ky proces ka qënë i lirë, i ndershëm dhe transparent.

Jorinda Tabaku, megjithatë, shpreson se ai të gjejë kohën dhe kurajon t’u rrëfejë shqiptarëve se, përse ai nuk dëshiron të numërohet çdo votë dhe përse ai nuk dëshiron të dëgjohet zëri i çdo qytetari.