Lajme Shqip e Diel, 22 Korrik 2012 15:28

Tiranë – Partia Demokratike i bëri thirrje sot Edi Ramës të pranojë të votojë me 6 gusht heqjen apo sipas rastit, kufizimin e imunitetit, si një histori suksesi për çdo qytetar të këtij vendi.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënesja e PD-së, Silvi Bardhi, tha se “Rama deklaroi se nuk do të pranojë heqjen e imunitetit për zyrtarët duke kërkuar si pazar të tyre vendosjen në Shqipëri të kushtetutës së pakicës bllokuese apo kushtetutës së sundimit të pakicës”.

Sipas Bardhit, “për rrëzimin e murit të imunitetit, këshilli i miliardierëve kërkon të vendosë në zyrat e Fidelit,  Presidetin e Republikës, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, asaj Kushtetuese dhe gjykatësit e tyre, Prokurorin e Përgjithshëm dhe kryetarin e KLSH-së, që kjo kupolë të ketë të garatuar pasurimin e paligjshëm dhe pavarësitsht se për cilën forcë politike votojnë qytetarët, ata të bëjnë ligjin me Kushtetuten e sundimit të pakicës”.  

PD, vijoi Bardhi, thekson se muri i imunitetit është muri i korrupsionit, është mburoja e pasurimit të paligjshëm dhe kriminal të imunitarëve të vendit në kurriz të qytetarëve të thjeshtë. “PD i bën thirrje Ramës: degjoje zërin e qytetarëve që duan barazi para ligjit me zyrtarët e tyre dhe të votojmë së bashku me 6 gusht heqjen apo sipas rastit, kufizimin e imunitetit si një histori suksesi për çdo qytetar”, tha Bardhi. (LajmeShqip.com)