Lajme Shqip Thursday, 29 October 2015 14:50

Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) me Bashkimin Europian të martën, marrëveshje kjo para që Kosova bënë në drejtim të integrimit evropian.

MSA është marrëveshje e karakterit politik, ekonomik dhe në fusha tjera, e cila hedh hapat e parë të një vendi (nga Ballkani) drejt anëtarësimit në BE .

Megjithatë, kjo marrëveshje nuk jep siguri të plotë për vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE.

Një fat i tillë i ka përcjell edhe vendet e rajonit, sidomos Shqipërinë e Maqedoninë. Këto dy shtete edhe pse ka vite që kanë nënshkruar MSA-në, ende nuk kanë filluar negociatat për anëtarësim në BE.

Maqedonia ka nënshkruar MSA-në në vitin 2001, ndërsa kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi në vitin 2004. Në vitin 2005 shteti fqinjë ka marr statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, mirëpo ende nuk është caktuar një datë e fillimit të bisedimeve, ku arsye kryesore mbetet konflikti i pazgjidhur me Greqinë, e cila Maqedonisë ja konteston emrin.

Kurse, Shqipëria ka nënshkruar MSA-në, me 12 qershor 2006, ndërkaq statusin e vendit kandidat e ka marrë në qershor të vitit 2014. Edhe Shqipëria ende nuk ka filluar negociatat për anëtarësim, për shkak të mungesës së stabilitetit politik, luftimit të krimit dhe korrupsionit, mungesa e reformave në drejtësi etj.

Edhe Kosova nuk është se ka treguar progres sa i përket luftës kundër korrupsionit, ndërsa vazhdon të mos ketë stabilitet politik, e kjo gjendje mund ta stagnojë atë duke bërë që të ketë fatin e njëjtë me shtetet fqinje

Kështu thotë edhe njohësi i proceseve të Integrimeve Evropiane, Emrush Ujkani. Ai tha për lajmi.net se nëse institucionet e vendit nuk tregojnë vullnet për të luftuar korrupsionin, veprimet negative dhe nëse Kosova nuk ka stabilitet politik, sipas tij, rruga drejt BE-së do të vonohet.

“Ne nuk kemi nevojë të themi asgjë më tepër përveç asaj se ky proces  në një gjendje të tillë si e tanishmja do të  prolongojë edhe më tepër procesin e anëtarësimit në BE. Nëse nuk ka luftë kundër korrupsionit, jo stabiliteti politik etj sigurisht që të jenë pengesa që do ta përcjellin Kosovën në të ardhmen dhe do të  ngadalësojnë procesin e anëtarësimit në BE. Nëse nuk ka vullnet për të krijuar stabilitet ekonomik, për të luftuar dukuritë e  negative siç është korrupsioni , mos sundimi i ligjit, besoj që këto janë pengesa”, tha Ujkani.

Ai shtoi se Marrëveshja për Stabilizim Asociim nuk është se garanton diçka më tepër se ajo që kemi tash për tash. Kjo marrëveshje, sipas Ujkanit, kërkon punë konkrete nga institucionet e Kosovës.

“Sa më tepër që të punohet në përmbushjen e detyrimeve, në kërkesa dhe detyrime kontraktuale që kemi nga MSA-ja, aq ma që më shpejtë do të bëjmë progres drejtë agjendës evropiane që nënkupton edhe marrjen e statusit të vendit kandidat dhe pastaj hapja e negociatave që është e logjikshme pas kësaj dhe mendoj që kjo jashtëzakonisht do të ketë ndikim të madh”, pranoi ai.

Ujkani thotë se Kosova duhet të fillojë zbatimin e marrëveshjeve pra kjo, sipas tij, është kërkesë imediate dhe vendi duhet të përgatisë atë se çka duhet të punojnë.

“Me vet faktin që është negociuar për këtë marrëveshje besojë që institucionet kanë njohuri se çka duhet të punohet, pra kjo nënkupton reforma më të thella  kryesisht në zhvillimin ekonomik, procedimin e kësaj ekonomie dhe që pastaj  në këtë mënyrë  BE-ja të jetë e bindur që Kosova po përmbush detyrimet  karshi kësaj marrëveshje”, shtoi njohësi i proceseve të Integrimeve Evropiane, Emrush Ujkani.

Sepse kjo, siç pranon ai, do të monitorohet nga Komisioni Evropian dhe vetëm atëherë vendi dhe institucionet e Kosovës të mund të aplikojnë për anëtarësim për të marr statusin e vendit kandidat për BE, që pastaj të ketë përsëri një vendim-marrje që Kosova të anëtarësohet në BE.

“Në momentin që Kosova merr statusin kandidat për BE pastaj  dhe në atë drejtim synohet hapja e kapitujve me synim anëtarësimin në BE. Por kjo arrihet vetëm nëse ka interes për ta shtyrë agjendën përpara dhe ti adresojnë në mënyrë adekuate të gjitha këto probleme”, përfundoi Ujkani.

MSA u nënshkrua në mes të BE-së e Kosovës me 27 tetor, në Strasburg. Kjo Marrëveshje u nënshkrua nga Kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.