Lajme Shqip Monday, 29 July 2013 13:30

Lezhë- Partia Socialiste është tërhequr nga kërkesa për pavlefshmëri të zgjedhjeve në qarkun e Lezhës.
Sekretari për Çështjet Zgjedhore të PS, Damian Gjiknuri, tha se vendimi për t’u tërhequr nga rivotimi vjen për shkak të interesave të vendit.
Kjo do i shërbejë mbylljes së shpejtë të procesit zgjedhor, që ashtu siç ndodh rëndom në Shqipëri, shtyhet për muaj të tërë.
Gjiknuri tha se shkeljet në votime në qarkun e Lezhës kanë qenë të rënda, por me to do të merret prokuroria.
Gjiknuri tha se ata janë të hapur për hetim parlamentar për procesin zgjedhor.
“PS-ja do të kallëzojë paligjshmëritë në Laç e Mamurras dhe paligjshmëritë e KQZ-së pas zgjedhjeve. Sigurojmë shqiptarët se me largimin e Sali Berishës mbyllet kapitulli i zgjedhjeve jo transparente dhe me probleme”.
“Zgjedhjet në qarkun e Lezhës janë të dështuara. Në Laç dhe në Mamurras qeveria dështoi në organizimin e zgjedhjeve të lira. Nga verifikimi i 6 qendrave të votimit rezultojnë se kanë votuar qindra qytetarë të cilët nuk kanë qenë në Shqipëri ditën e votimit dhe kjo është vërtetuar nga sistemi TIMS. Nga inspektimi grafik del qartë se janë mbi 200 nënshkrime të hedhura nga e njëjta dorë në vetëm një qendër votimi dhe këtë e kanë verifikuar ekspertët. Një provë e tillë mjafton për përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës, por, të vetëdijshëm për nevojën e vendit për përfundimin e shpejtë të procesit zgjedhor, nuk e bëmë këtë ankimim”.