Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 10:00

Tiranë- Partia e re e presidentit Topi pritet të startojë në gjysmën e parë të muajit të ardhshëm, kur do bëhet publike themelimi i saj dhe do fillojë mbledhja e firmave për regjistrimin sipas ligjit në gjykatë. Deri më tani ka përfunduar statute dhe programi i partisë, ku në qendër të tij do jetë kufizimi i mandatit të kryetarit dhe të gjithë drejtuesve të tjerë në rang vendor deri në dy mandate si dhe zgjedhjet në të gjitha nivelet sipas parimit amerikan të ndërtimit të një partie të djathtë.

“Është obligimi ynë për të përfaqësuar e zbatuar misionin e dhjetorit ’90 ku nuk mendohej një parti me kryetar të përjetshëm. Normalisht kryetari do ketë vetëm dy mandate dhe çdo funksionar do të zgjidhet sipas parimit “një anëtar një votë”. Pra do të jetë një parti e modelit amerikan, një model tërësisht perëndimor”, deklaroi Aleksandër Biberaj, njëri prej drejtuesve kryesorë të parties së re. Sipas tij, ka një zhgënjim nga lidershipi i sotëm, qoftë pseudo I djathtë qoftë pseudo i majtë. “Ka 22 vjet që vijon tranzicioni dhe qytetarët do kërkojnë një zgjidhje, të cilën mendojmë dhe shpresojmë t’jua japim ne”, tha Biberaj.

Në statut është përcaktuar se zgjedhjet do të bëhen sipas parimit “Një anëtar një votë”, ndërkohë që në të do të gjejnë formë të plotë të gjitha normat demokratike, për një parti me vision tërësisht perëndimor të qendrës së djathtë. Një ndër pikat kryesore është fiksimi në statut dhe i mendimit ndryshe, apo siç quhet rëndom fraksioni, çka për grupin nismëtar do t’I jepte një dimension tjetër demokracisë së brendshme në parti.

Në programin politik të partisë së re të Topit mësohet se është fiksuar nevoja për ndryshime kushtetuese për funksionimin e shtetit ligjor, reforma në sistemin e drejtësisë, në administratë, arsim, shëndetësi, punësim, pensione, daljen nga kriza e rëndë ekonomike, lufta kundër monopolove, korrupsionit dhe kilentelizmit.

Nëpër këto piketa statutore dhe programore do të vërtitet partia e re e Topit, e cila pritet të shpallet dhe formalizohet brenda muajit prill, përmes një drejtimi nga dy figurat kryesore të grupit nismëtar, deri në momentin kur presidenti Topi të përfundojë mandatin në krye të shtetit. Biberaj nuk ka munguar të shprehet se Topi i ka dyer të hapura në këtë parti. “Pas përfundimit të mandatit, Presidenti i ka dyert e hapura te ne”, tha Biberaj. I cili nuk ka munguar të adresojë gjuhën e ashpër në drejtim të lidershipit të sotëm politik, dhe kryesisht në drejtim të kreut të PD, themelues dhe funksionar i lartë i së cilës ka qënë për vite me radhë Biberaj.

“Shqipëria drejtohet nga komunistët, kryetari ka qënë 25 vjet sekretar partie, ka mbledhur rreth vetes njerëz të ish-Sigurimit të shtetit dhe ish-komunistë. S’kam qënë kurrë bashkëpuntori më i ngushtë, kam qënë themelues i PD”, tha Biberaj. Për të cilin tashmë ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të ndërgjegjësohen dhe t’i kundërvihen kësaj klase politike që vjen nga sistemi i kaluar.

“Ne kemi pasur gjithnjë një lidership të tipit aventurier gjatë tërë këtyre viteve. Por me futjen në lojë të një partie të tretë gjithçka do ndryshojë”, tha Biberaj. I cili nuk ka munguar të kritikojë aleancat e majta të krijuara nga lideri i PD, Berisha vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetin, ndërkohë që paralajmëron se partia e re që do krijohet në radhë të parë do të ketë një aleancë të fortë me qytetarët.

Duke akuzuar dy partitë kryesore në vend për ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas interesave të tyre, ai ka nënvizuar se “jam për një sistemmazhoritar të pastër, ku secili deputet të japë llogari në zonën e tij elektorale për punën e bërë dhe realizimin e premtimeve”.