Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 12:18

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot në seancën plenare të radhës. Gjatë debatit, replikat janë zhvilluar edhe për akuzat e lëvizjes vetëvendosje që u bënë dje gjatë protestës, në adresë të qeverisë.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, akuzat e tyre për hajni dhe korrupsion i kanë vazhduar sot edhe në seancën e Kuvendit të Kosovës. Deputeti Berat Buzhala në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së protestuesit e djeshëm i ka quajtur hipokrit. Buzhala tha se askush në Qeverinë e Kosovës nuk është për korrupsion. Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca tha se protestuesit nuk e kanë fyer asnjërin, por kanë thënë të vërtetën se në qeveri ka hajna dhe hajni të mëdha.

Megjithatë, debati në kuvend kaloi edhe në çështje personale dhe çështje tenderësh. Deputeti Berat Buzhala akuzoi udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje se po protestojnë kinse kundër hajnisë, ndërkohë që vet janë të implikuar në shumë tenderë të ndryshëm.

Por, deputeti Konjufca, numëroi disa tenderë që sipas tij janë të implikuar vet deputeti Buzhala dhe krerët e shtetit.

Qeveria e Kosovës, protestën e djeshme e ka quajtur si e drejtë qytetare, por ka kërkuar që të mos ketë fyerje.