Lajme Shqip Friday, 24 July 2015 16:03

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti i kanë siguruar shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së se fondi prej 24 milionësh për pensionet e veteraneve është i sigurt dhe ato para do të bëhen aktive sapo të publikohen listat finale të veteranëve.

Në një konferencë për medie, kreu i ekzekutivit, ka thënë se qeveri është e gatshme t’i kryejë gjitha obligime ligjore që ka ndaj kësaj kategorie. “Paratë e veteranëve janë të sigurta dhe ato do të bëhen aktive. Këtu është edhe ministri, i cili mund t’ju njoftojë më saktësisht. Është shkurtuar një pjesë e atyre parave për shkak të harmonizimeve buxhetore, mirëpo ai shkurtim assesi  nuk do ta rrezikojë gjithë obligimin tonë që kemi për veteranët”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka deklaruar se është në kontakt të vazhdueshëm me shoqatat e dala nga lufta. “Unë jam në kontakt të rregullt me Çekun, të cilit ia kam kthyer edhe një përgjigje me shkrim. Jam në kontakt edhe me kryetarin e Organizatës se Veteraneve të Luftës. Sapo të jetë lista finale, ne do të procedojmë në bazë të ligjit përkatës, i cili thotë se posa të jetë lista finale, Ministria e Financave në konsultim me Qeverinë e nxjerrë nivelin e pagesave për veteranët. Ka buxhet të mjaftueshëm dhe nuk ka asnjë problem, por po e presim vetëm listën finale”, ka thënë Hoti.