Lajme Shqip Wednesday, 04 November 2015 08:55

Në Ligjin për Këshillin Prokurorial duhet bërë edhe një ndërhyrje, pavarësisht se Kuvendi i Kosovës, më 28 maj të këtij viti, ka miratuar plotësim-ndryshimin e tij, shkruan sot Koha Ditore.

Këshilli aktual do të mbetet pa bazë ligjore për nxjerrjen e vendimeve, pasi që në dispozitat kalimtare të Projektligjit të kaluar për ndryshimin dhe plotësimin e tij nuk është qartësuar nëse anëtarët aktualë të KPK-së do të kenë mandat edhe pas 1 janarit të vitit 2016.

Amendamenti i dërguar nga Qeveria e Kosovës në Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial ka marrë përkrahje në parim nga anëtarët e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, në mbledhjen e mbajtur të martën.

Nënkryetarja e komisionit, Selvije Halimi, e cila ka udhëhequr mbledhjen në mungesë të kryetares së Komisionit, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk kanë qenë të vëmendshëm kur e kanë votuar Projektligjin e kaluar për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial.