Lajme Shqip Sunday, 23 June 2013 10:57

Prishtinë – Gjithsej pronat e tij bashkë më ato të cilat i ka deklaruar si trashëgimi familjare, kapin vlerën prej 848 mijë euro. Së paku kështu i ka vlerësuar vetë kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Ibër Lepenc”, Hajdar Beqa, në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK). Beqaj, i cili është edhe kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Gjakovës në zgjedhjet lokale, në cilësinë e kryeshefit të “Ibër Lepencit” ka një pagë vjetore prej 24 mijë e 873 euro.
Edhe pse pagë kjo shumë më e lartë se sa e ministrave të Kosovës, Beqaj për punën e tij të “suksesshme” ka marrë ekstra bonus prej 10 mijë e 890 euro. Pra gjithsej brenda vitit për punën në krye të kësaj ndërmarrje ai merr rreth 36 mijë euro.
Por si duket ky zyrtar publik pos pagës së majme dhe shpenzimeve të tjera që i mbulohen si ato të harxhimeve telefonike, karburantet dhe mëditjet e tjera nuk është ngopur, edhe më tej i shikon mundësitë se si të marrë nga buxheti i Kosovës. Ai tash sa vjet merr edhe pensionin e invalidit të luftës prej 2 mijë e 160 euro, shkruan gazeta Zëri.
Sipas gazertës, këto të ardhura Beqës i janë rritur kohë pas kohe nga periudha kur ka marrë postin e kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje në vititn 2009. Nëse analizohen formularët e deklarimit të pasurisë së këtij zyrtari në vitin 2010 kur ka deklaruar pagë vetëm 20 mijë e 520 euro, ai një vit më vonë në vitin 2011 ka nisur të marrë pensionin invalidor prej 1 mijë e 440 euro.
Në vitin 2012 paga e tij vjetore bruto është shkruar 34 mijë e 313 euro dhe pensioni invalidor tashmë i ngritur në 2 mijë e 160 euro. Ndërkaq në deklarimin e fundit të pasurisë, paga bazë e Beqajt bashkë me bonuse kap shumën prej 35 mijë e 763 euro dhe pension prej 2 mijë e 160 euro prej gjithsej gati 38 mijë euro.
Hajdar Beqa nga vitit 2010 e deri më tash ka deklaruar pasurinë e paluajtshme të njëjtë përveç se një prone ia ka rritur vlerën. Ndërkohë dhe është avancuar me veturë nga një vlerë prej 17 mijë euro në një tjetër të tipit BMw X5 në vlerë prej 30 mijë euro.
Në vitin 2010, një vit pas emërimit të tij kryeshef në “Ibër Lepenc”, Hajdar Beqaj, ka deklaruar pasuri: banesë prej 78 metra katrorë në vlerë prej 78 mijë euro (kredi 14 mijë euro), të blerë në vitin 2008, 5 ar tokë në lagjen “Sofalia” në Prishtinë, të blerë në vitin 1985 (e përbashkët me familje) në vlerë prej 50 mijë euro, shtëpi me një hektar tokë në fshatin Molliq prej edhe nga vjen Beqaj (pasuri e trashëguar nga familja) në vlerë prej 250 mijë euro, 4 hektarë të tjera nga po ky fshat të cekura si pasuri e trashëguar në vlerë prej 300 mijë euro bashkë me një tokë tjetër të pyllëzuar prej 3 hektarë të vlerësuar 150 mijë euro.
E njëjta pasuri është deklaruar për katër vjet me radhë. Ndërkohë që pronës në “Sofali” nga 50 mijë euro në vitin 2010, Beqaj ka vlerësuar se i është rritur vlera në 70 mijë euro.