Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 11:55

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka thënë se votimi i fundit pro Kosovës në Bordin ekzekutiv të UNESCO-s ka një rëndësi historike. Por sipas Pacollit, të thuash kaq, është me të vërtetë pak.

Sipas tij, ai ka dhe rëndësi praktike, ashtu si dhe rëndësi politike.

“Duke bartur këto cilësi, ky votim sjell njëherazi disa mesazhe që duhen analizuar drejt”, ka shruar Pacolli në një shkrim autorial.

Megjithatë, përkundër këtyre, Pacolli e ka shprehur një shqetësim.

“Megjithë respektin për punën e bërë deri më tani nga Ministria e Jashtme, apo nga Shqipëria dhe aleatët tanë me në krye SHBA, si shpjegohet që vende të tilla si Japonia dhe Etiopia abstenojnë megjithëse na kanë njohur? Pse vende të tjera që na kanë njohur, kanë votuar kundër? Unë besoj se kjo ka lidhje me cilësinë e lobimit tonë, dhe mungesën e ndikimit personal të lobuesve. Nuk ka shpjegim tjetër: lobimi ynë, apo profili i lobuesve nuk ka qenë efikas përballë atij të kundërshtarëve të anëtarësimit të Kosovës”, ka shkruar Pacolli.

Ja shkrimi i plotë:

Të nderuar përfaqesues të mediave,

Më poshtë ju gjeni shkrimin e fundit nga z. Behgjet Pacolli lidhur me votimin e fundit pro Kosovës në Bordin ekzekutiv të UNESCO-s.

Votimi i fundit pro Kosovës në Bordin ekzekutiv të UNESCO-s ka një rëndësi historike, por të thuash kaq, është me të vërtetë pak. Ai ka dhe rëndësi praktike, ashtu si dhe rëndësi politike. Duke bartur këto cilësi, ky votim sjell njëherazi disa mesazhe që duhen analizuar drejt.

Si votim që përfaqson hapjen e derës për integrimin ndërkombëtar të Kosovës në familjen e kombeve, ai do duhet vlerësuar veçse pozitivisht. Por mënyra sesi është votuar, megjithatë krijon disa pikëpyetje që do duhen sqaruar derisa Konferenca e përgjithshme të votojë për pranimin përfundimtar të Kosovës.

Së pari, Serbia do duhet të heqë dorë nga bllokimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ky është një detyrim i saj që vjen nga Rezoluta e shtatorit 2011, të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, apo nga Marrëveshjet e Brukselit. Serbia do duhet ta pranojë se trashëgimia kulturore e Kosovës nuk është vetëm trashëgimia e kishave ortodokse, por dhe e objekteve të tjera të kultit, apo e objekteve, gjetjeve, artefakteve të tjera kulturore në përgjithësi që i përkasin gjithë popullit të Kosovës. Po ashtu UNESCO nuk është vetëm organizatë e përkushtuar për kulturën, por dhe për shkencën dhe arësimin, mbi të cilat Serbia në Kosovë nuk ka kurrfarë pronësie. Por dhe sikur të ishte fjala për kishat, Serbia do duhet ta pranojë se prej anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, kishat do të kenë mundësi të mbrohen edhe më mirë sesa deri tani. Serbia do duhet të pranojë përfundimisht faktin se Kosova tash e tutje do të ketë dhe identitet kulturor të njohur botërisht, shkëputur prej hijes së saj.

Ka një moment tjetër të rëndësishëm që e tregon sesa delikat është votimi i ardhshëm, i paraprirë nga votimi në Bordin Ekzekutiv. Përfshirja e Rusisë në kërkesën për shtyrjen e votimit dhe rezultati i ngushtë në Bord, pro Kosovës (27 vota pro dhe 28 kundër apo abstenime), i projektuar në Konferencën e përgjithshme, na tregon se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është bërë një çështje ndarëse gjeopolitike. Pra ky anëtarësim po rreshton në mënyrë kundërvënëse blloqet e ndikimit të dy fuqive më të mëdha botërore, SHBA-ve dhe Rusisë. Dhe kur ka konflikt planetar, gjërat vështirësohen.

E gjitha kjo ka një shpjegim. Votimi në UNESCO është parathënia e votimit në OKB, në rast të krijimit të një skenari pozitiv për Kosovën. Jetojmë në një kohë kur kundërvënia midis dy blloqeve të shteteve ka arritur një nivel të lartë dhe shqetësues, si duket nga ngjarjet në Ukrainë apo Siri. Kjo do të thotë se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është marrë më seriozisht prej kundërshtarëve tanë me në krye Rusinë, për ta ndaluar me çdo kusht simbolikën që krijohet prej këtij anëtarësimi. Bash për këtë arsye, votimi në UNESCO prej datës 3 nëntor do duhet marrë më seriozisht sesa tani edhe prej nesh. Ku i shoh problemet?

Megjithë respektin për punën e bërë deri më tani nga ministria e jashtme, apo nga Shqipëria dhe aleatët tanë me në krye SHBA, si shpjegohet që vende të tilla si Japonia dhe Etiopia abstenojnë megjithëse na kanë njohur? Pse vende të tjera që na kanë njohur, kanë votuar kundër? Unë besoj se kjo ka lidhje me cilësinë e lobimit tonë, dhe mungesën e ndikimit personal të lobuesve. Nuk ka shpjegim tjetër: lobimi ynë, apo profili i lobuesve nuk ka qenë efikas përballë atij të kundërshtarëve të anëtarësimit të Kosovës.

Në këto kushte, nisur nga simbolika që bart anëtarësimi i vendit tonë në UNESCO, pasojat praktike të këtij anëtarësimi, por dhe ndikimi në një aplikim të mundshëm të Kosovës për anëtarësim në OKB, qeveria jonë do duhej të përdorte gjithë burimet e mundshme njerëzore dhe diplomatike të ndikimit. Është shumë premtuese që sekretari amerikan i shtetit John Kerry ka premtuar se SHBA do të lobojë për votën pro Kosovës. Ama ne duhet të jemi të parët për angazhim. Ne nuk duhet t’ i mbajmë shpresat tek fakti se shumë prej vendeve që nuk e njohin Kosovën, dhe që me gjasë do votonin kundër nesh, nuk do të jenë të pranishme në mbledhjen e Konferencës së përgjithshme. Edhe mospjesëmarrja e tyre mund të kërkonte lobim. Rezultati në Bord është me të vërtetë i ngushtë: nëse ai do të projektohej në nivel të Konferencës së përgjithshme që ka 195 shtete, atëherë ne do na duhej të punonim shumë më shumë gjatë periudhës që na mungon deri tek Konferenca e Përgjithshme.

Krejt në fund, pa modesti dhe me realizëm. Unë jam i gatshëm të shkoj në Paris për të lobuar. Unë njoh dhe kam miqësi me shumë kryetarë shtetesh dhe qeverish në gjithë botën. I kam takuar ata dhe një pjesë e mirë e njohjeve të pavarësisë vijnë prej kontributit tim të plotë, ekskluziv apo të pjesshëm. Kjo ma bën shumë më të lehtë punën time sesa kujtdo tjetër. Do preferoja të kordinoj punën time me kryeministrin, me presidenten dhe ministrin e jashtëm që mos të deshtojmë. Por, dhe nëse ata nuk e dojne angazhimin tim, UNE DO TA BËJ TIMEN, dua ta shoh Kosovën të anëtarësuar në UNESCO.