|
|
e Hënë, 16 Korrik 2012 16:36 Prishtinë – Pjesa më e madhe e shteteve afrikane tashmë janë përkrah Kosovës tha zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli. Në një intervistë për Radio Kosovën, nga Kenia e Afrikës, Pacolli tha se para fillimit të vjeshtës Kosova do të njihet nga disa shtete afrikane.
“Unë besoj se para fillimit të asamblesë së OKB-së ne do të kemi disa njohje të reja dhe me këtë procesi do të shkojë përpara. Tani ne e kemi pjesën më të madhe të Afrikës në anën tonë, ata janë miqtë tanë”.
Që nga koha kur është zëvendëskryeministër, aktivitete më të shpeshta Pacolli i ka zhvilluar në vendet afrikane. Arsyeja e lobimit në këto vende, sipas tij, ishte që të hiqen pengesat që Kosova i kishte nga këto shtete në Kombet e Bashkuara.
Zëvendëskryeministri Pacolli, tha se së shpejti do të fillojë lobimin edhe në Amerikën e Jugut, me qëllim që Kosova të njihet nga sa më shumë vende të ndryshme botërore.
Gjatë vizitës së tij, zëvendëskryeministri Pacolli mori pjesë edhe në mbledhjen e Unionit Afrikan, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të 54 shteteve të Afrikës. Po ashtu ka pasur takime edhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. (LajmeShqip.com)