Lajme Shqip Saturday, 31 October 2015 07:57

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka anuluar vendimin e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës për të eliminuar nga procedura e prokurimit “Lidhje e BTS-ve me kabllo optike në rajonin e Prishtinës në 10/7 lokacione”, të operatorit ekonomik “Astraplan”.

BTS është pjesë e pajisjeve që lehtësojnë komunikimin pa tel në mes pajisjeve të përdoruesit dhe rrjetit. Anulimi i vendimit të PTK-së është bërë me një vendim të Gjykatës së Tenderëve, pas ankesës që ka bërë kompania e eliminuar “Astraplan”, shkruan sot Koha Ditore. OShP-ja ka kthyer procedurën në rivlerësim.

PTK-ja është obliguar që në afat prej 10 ditëve, nga e enjtja, ta informojë me shkrim panelin shqyrtues të OShP-së për veprimet e ndërmarra në këtë aktivitet të prokurimit.

Kundër vendimit që është nënshkruar nga kryetari i panelit shqyrtues, Hysni Hoxha, që njëherësh është edhe kryetar i OShP-së, pala e pakënaqur nuk mund të ushtrojë ankesë.