Lajme Shqip Tuesday, 30 July 2013 14:32

Tiranë – Ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sekui, që takoi kryetarin e ri të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se marrja e statusit kandidat është e mundshme në dhjetor të këtij viti.
Por ai tha se nuk ka shumë kohë deri në tetor, kur do publikohet progres- raporti i Komisionit Europian.
Sekui, duke folur në krah të Bashës, bëri apel për mbylljen e procesit zgjedhor në kohë.
Edhe kryetari në detyrë i përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë, Robert Wilton, gjatë një takimi me Avokatin e Popullit, kërkoi mbylljen e procesit zgjedhor.
“Jemi duke pritur raportin përfundimtar të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, shpresoj që të merret seriozisht, të gjitha institucionet të respektojnë këto përfundime dhe ligjin. Shpresoj për një proces që të mbyllet me stabilitet, duke zbatuar ligjin dhe rezultati të pranohet nga të gjitha palët”, u shpreh ambasadori në detyrë.
Por Basha (që nuk pranon kurrë të pyetet nga gazetarët) deklaroi se PD është forca kryesore integruese në Shqipëri, deklaroi se procesi zgjedhor nuk do mbyllet shpejt, pasi transparenca duhet të bëhet tani.
Zgjedhjet nuk janë certifikuar ende, ndërsa Partia Demokratike këmbëngul se asaj i janë vjedhur zgjedhjet.
Qëllimi është që të njolloset procesi dhe të ketë një justifikim për humbjen e rëndë.
Por kjo mund të shtyjë sërish marrjen e statusit të kandidatit dhe PD po nis në këtë mënyrë opozitën e stilit të saj, edhe pse pretendon se është forca kryesore evropiane në Shqipëri.