Lajme Shqip Wednesday, 21 October 2015 14:21

Deklarata e zëvendëskryeministrit të Republikës, Hashim Thaçit, se ai zhvillon takime të shpeshta me liderët e opozitës, po thuhet të jetë krejtësisht e pavërtetë. Kështu të paktën kanë konfirmuar përfaqësuesit e tri partive opozitare, (VV-AAK dhe Nisma)

Thaçi ka deklaruar se në këto “takime” ka sugjeruar liderët opozitar që t’i ndërpresin veprimet e kundërligjshme në Kuvendin e Kosovës. Këta të fundit, sipas kryediplomatit, i janë përgjigjur duke “ulur kokën”.

“Unë takohem çdo ditë, i shoh. Këmbejmë përshëndetje por edhe këmbejmë opinione të shkurtra. Këshilla ime për ta ka qenë; E keni tepruar, nuk e meriton Kosova këtë veprim, ndërsa ata më kanë thënë: “Jemi futur në këtë lojë dhe s’po mund të dalim më”. Ne mendojmë se do t’ju ndihmojmë që të dalin sepse është në interes të Kosovës”, ka thënë ai.

Pas kësaj deklarate, zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Frashër Krasniqi ka reaguar duke thënë se, krerët e LVV-së nuk janë takuar asnjëherë me Thaçin dhe se nuk do ta bëjnë një gjë të tillë. Sipas tij, synimi i zëvendëskryeministrit është që të krijojë paqartësi në opinion.

“Normalisht se janë krejtësisht shpifje. Hashim Thaçi asnjëherë nuk është takuar me drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe as që pranojmë ta takohemi me të. Shpifjet e tij janë propagandë e qartë e cila si synim ka krijimin e konfuzionit në opinion, sidomos tash kur Hashim Thaçi e ka kuptuar se opozita është shumë e qartë dhe e vendosur për qëllimet e saj”, ka thënë Krasniqi për “zeri.info”

Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se Haradinaj nuk është takuar me Thaçin, dhe që deklarata e tij janë krejtësisht të pavërteta.

“Nuk besoj se z.Haradinaj është takuar me zotërinë Thaçi. Asgjë nuk ekziston se ne kemi hyrë në një rrugë pa planifikim kur e dimë se çfarë rreziku ka Kosova për ndarje. Këto deklarata janë vetëm shpifje. Pra, Thaçi po dëshiron që ta ndaj opozitën”, ka thënë Lekaj.

Edhe deputetja e Nisma-s, Valdete Bajrami ka hedhur poshtë konkludimet e numrit dy të Qeverisë së Republikës, lidhur me takimet e tija fantome.

“Besoj se ju e keni parë qëndrimin e kryetarit Limaj gjatë ‘VLAN-it’. Edhe pse ka pasur oferta marramendëse për tu bërë pjesë e Qeverisë. Kësisoj, mund të them se këto janë tregime të zotëri Thaçit dhe nuk ka asgjë të vërteta nga këto”, ka thënë deputetja e Nisma-s.

Thaçi për RTV21 ka deklaruar se, zhvillon takime të shpeshta me liderët e partive opozitare të cilëve u ka sugjeruar që t’i ndërpresin këto akte. Këta të fundit, sipas kryediplomatit kosovar, i janë përgjigjur duke “ulur kokën”, transmeton zeri.info.