Lajme Shqip Thursday, 16 May 2013 11:10

Prishtinë – LDK-ja dhe Vetëvendosja kërkojnë që zgjedhjet lokale të mbahen në vjeshtë. Koha e përshtatshmë për zgjedhje sipas tyre është pjesa e dytë e shtatorit, apo fillimi i tetorit, në mënyrë që të evitohet vjedhja e votave si në zgjedhjet e kaluara. Pikërisht për këtë fakt LDK-ja është e bindur se i humbi zgjedhjet e kaluara.
E për Vetëvendosjen, nëse presidentja Jahjaga nuk e cakton datën e zgjedhjeve deri më 29 maj, atëherë ajo do të bëhet bashkëfajtore në procesin e vjedhjes së votave. Albulena Haxhiu ka thënë se Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet në fuqi përcaktojnë se zgjedhjet duhet të mbahen në mënyrë periodike çdo katër vjet.
Por, shoqëria civile vlerëson se Presidentja po pret takimin e radhës mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq në Bruksel, për të shpallur datën e zgjedhjeve lokale. Ndërsa këshilltari i presidentes Atifetet Jahjaga, Arbër Vllahiu, i ka thënë KTV-së se presidentja do ta caktojë datën e zgjedhjeve lokale atëherë kur të përfundojnë të gjitha konsultimet me të gjithë liderët e partive politike.