Lajme Shqip Friday, 23 October 2015 10:28

Opozita kosovare ka deklaruar se nuk e kanë ndërmend të lejojnë mbajtjen e seancës së sotme të thirrur nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, për në orën 16:00. Sipas zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, do të ishte e pakuptimtë të lejohet mbarëvajtja e seancës në një situatë ku koalicioni qeverisës po e ndanë Kosovën.

“S’ka kuptim t’i lejojmë punimet e Kuvendit dhe funksionimin normal të Qeverisë, nëse vendi po shkon drejt ndarjes etnike”.

“Ne do ta vazhdojmë protestën në Kuvend dhe jemi të prerë që të mos lejojmë vazhdimin e seancës,” ka thënë Krasniqi për Klan Kosovën, duke shtuar se protesta do të vazhdojë derisa marrëveshjet me Serbinë dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi të tërhiqen.

“Subjektet opozitare do të vazhdojnë protestën e tyre brenda Kuvendit të Kosovës. Kjo ngase Qeveria po vazhdon që me arrogancën e saj të insistojë në zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë si dhe demarkacionit me Malin e Zi”.

“Këto marrëveshje janë të papranueshme ngase cenojnë sovranitetin dhe funksionalitetin shtetëror si dhe ia humbin vendit mbi 8000 hektarë tokë”, ka pohuar Krasniqi.

I pyetur se çfarë do të ndodhte në rast se policia ndërhynë për t’i larguar ata nga salla, ai tha se kjo, do të paraqiste diçka tepër e rrezikshme.

“Kadri Veseli, para dhe gjatë seancës së kaluar e blindoi Kuvendin e Kosovës me roja dhe policë. Nëse vazhdon ndërhyrja policore në Kuvend dhe eventualisht rritet, ky do të ishte një precedent jashtëzakonisht i dëmshëm për demokracinë e vendit. Nuk mund të futet policia në Kuvend. Kjo do të ishte e papranueshme. Kjo do të tensiononte situatën jashtëzakonisht shumë,”