Lajme Shqip Wednesday, 04 November 2015 08:33

Korrupsioni sistematik dhe institucional, mungesa e kulturës së mosndëshkimit për individët që janë të zhytur në krim të organizuar dhe korrupsion, tendenca për të ndërhyrë në proceset gjyqësore, si dhe mungesa e afateve ligjore që kanë të bëjnë më sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, janë disa nga problemet me të cilat ballafaqohet Kosova në fushën e sundimit të ligjit.

 Kështu është thënë në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, ku është prezantuar raporti me temën: “Lufta kundër pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve të lartë në Kosovë”. Albana Rexha, njëherësh edhe prezantuese e raportit, ka thënë së korrupsioni i lartë i zyrtarëve të drejtësisë, si dhe mungesa e vullnetit politik për të luftuar krimin dhe korrupsionin po afekton direkt edhe në mosluftimin e pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme. “Fenomeni i korrupsionit është një fenomen, i cili përfshin një pjesë të madhe të zyrtarëve të lartë të drejtësisë. Po ashtu edhe mungesa e vullnetit politik për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin është duke ndikuar edhe në mosluftimin e pasurisë, e cila është krijuar në mënyrë të paligjshme nga zyrtarët që mbajnë poste publike” ka thënë Rexha.

Ajo ka përmendur edhe disa nga problemet kryesore që hasën në luftimin e pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve të lartë në Kosovë. Ndër problemet kryesore është mungesa e afateve ligjore që kanë të bëjnë me sekuestrimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Po ashtu edhe mungesa e një bashkëpunimi edhe ndërmjet Prokurorisë, gjykatave, dhe Agjencisë për Administrim të Pasurisë së sekuestruar është edhe një tjetër sfidë për ta luftuar këtë dukuri.

Ndërsa ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka deklaruar se në Kosovë ekziston një kulturë e mosndëshkimit të personave që janë të zhytur në krim të organizuar dhe në korrupsion. “U bëj thirrje zyrtarëve qeveritarë që të punojnë më shumë në sundimin e ligjit sepse duke vendosur ligjshmëri Kosova tregon një pjekuri shtetërore në luftimin e dukurive negative, siç janë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Në Kosovë ekziston një kulturë e mosndëshkimit për personat, të cilët janë të korruptuar dhe falë këtij korrupsioni ata janë bërë shumë të pasur”, është shprehur ambasadori O’Connell.

Ndërsa koordinatori nacional për luftim të krimit ekonomik në kuadër të Prokurorisë së Shtetit, Shqipdon Fazliu, ka thënë se mungesa e ligjit antimafia është duke sjellë probleme të mëdha në rrugën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë ta paligjshme. “Problemi më i madh në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë është mungesa e një ligji antimafia, i cili do të mundësonte konfiskimin e asaj pasurie pa filluar një aktgjykim ndaj të pandehurit, që dyshohet për krijim të pasurisë në mënyrë të paligjshme dhe ky është një problem elementar që ka të bëjë me konfiskimin e pasurisë. Gjatë periudhës janar – shtator të këtij viti kemi sekuestrime të pasurisë në vlerë prej 20.1 milionë eurosh, ndërsa konfiskime përfundimtare me aktgjykime kemi vetëm 66 mijë euro”, ka deklaruar Fazliu. /Zëri/