Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 19:26

Tiranë-Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar pas deklaratave të zëvendësministrit shqiptar të Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, i cili ka thënë se njerëzit që do të marrin pjesë në Paradën e Homoseksualëve “duhet të rrihen me hu”.

“Bashkimi Evropian dënon me forcë çdo retorikë diskriminuese dhe nxitje për urrejtje dhe dhunë. Shqipëria ka ratifikuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe ka aprovuar Ligjin për Mbrojtjen kundër Diskriminimit”.

“Deklarata publike si ajo e zotit Spahiu është në kundërshtim me zbatimin e politikave antidiskriminuese, të përfshira në kapitullin 23 mbi të drejtat themelore dhe juridike, pjesë e legjislacionit të Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin që transmetojnë mediat shqiptare.

Spahiu, njëherësh kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit, e ka bërë deklaratën në lidhje me mbajtjen në Tiranë të festivalit të diversitetit për të drejtat e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe personave transeksualë, i cili do të zhvillohet në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë, më 17 maj 2012.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka kritikuar zëvendës ministrin e mbrojtjes, Ekrem Spahiu, për deklaratën e tij se njerëzit, që po përgatiten të marrin pjesë në paradën e parë të homoseksualëve, “duhet të rrahen me shkopinj”. Berisha tha dje se këto komente janë “të papranueshme”.

Grupet e homoseksualëve po planifikojnë festimin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë më 17 maj në Tiranë. Grupet kanë kërkuar që zëvendës ministri të hetohet sipas ligjeve anti-diskriminuese, por partia e vogël monarkiste, të cilën e udhëheq Ekrem Spahiu, e ka mbështetur atë. Nëpërmjet një kumtese, kjo parti e ka përshkruar homoseksualitetin si “ves, fatkeqësi dhe mallkim”.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, i ka thënë Spahiut që të kërkoj falje për komentet e tij të javës së kaluar, dhe ka theksuar se ai do të jetë krenar që të “jetë i pari që do të pësoj nga shkopinjët” në tubimin e 17 majit në Tiranë.

Boris Ditrih nga organizata Human Rights Watch i ka cilësuar si të “tmerrshme” fjalët e Spahiut. “Jam i shokuar që një zyrtar i rangut të lartë qeveritar bënë thirrje për dhunë kundër demonstruesve paqësorë të komunitetit homoseksual”, i tha nga Nju Jorku zoti Ditrih agjencisë AP. Në vitin 2009 në Shqipëri është miratuar ligji për lejimin e martesave të personave me gjini të njejtë. (REL)