Lajme Shqip Sunday, 28 July 2013 17:10

Fletët me të cilat anëtarësia e Partisë Demokratike votoi kreun e ri të saj në zgjedhjet e 22 korrikut nuk do të digjen. Ato mund të arkivohen në selinë qendrore të Partisë Demokratike. Kryetari i Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Gjergj Lezhja konfirmoi për “Gazeta Shqiptare”, se fletët e votimitnuk do të digjen dhe se ato ndodhen aktualisht në selinë e partisë.

“Komisioni e ka përfunduar tashmë procesin, gjithçka është mbyllur dhe fletët e votimit nuk janë djegur. Ato janë tek partia”, deklaroi Lezhja.

ANKIMIMI Në orët e vona të mbrëmjes së 22 korrikut, në hollin e Pallatit të Kongreseve, anëtarët e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, apo siç njihet ndryshe KQZ, (strukturë e ngritur pranë PD-së), pritën kutitë e para të votimit për kryetarin e ri të PD-së, për të filluar më pas numërimin pikërisht aty. 100 kuti votimi u shpërndanë në rrethe, ndërkohë që numërimi u bë në Tiranë.

Sipas një udhëzimi të posaçëm, pas mbylljes së votimit, kutitë, fletët e papërdorura, listat e anëtarësisë dhe procesverbali i mbylljes së votimit u administruan nga Komisioni i Qendrës së Votimit. Anëtarët e këtij komisionidorëzuan kutitë në Tiranë pranë Komisionit të Organizimit. Ky i fundit numëroi votat e anëtarësisë, ndërkohë që 10 ditë para datës së zgjedhjeve kishte miratuar fletët e votimit, të përbërë nga elementë sigurie, një fletë ngjyrë blu e vogël, e përmasave A5, ku janë shkruar vetëm dy emrat e kandidatëve, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi, sipas rendit alfabetik.

Basha u zgjodh pasuesi i Sali Berishës në krye të PD-së pas numërimit të të gjitha kutive të votimit. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale njoftoi rezultatet përfundimtare sipas të cilit numri i anëtarëve që kanë votuar është 41532, prej të cilave Lulzim Basha ka marrë 33220 vota, ndërsa Sokol Olldashi ka marrë 8060 vota. Po sipas rezultateve të KQZ-së, fletë votimi të papërdorura janë 78468, fletë votimi të dëmtuara 0, fletë kutimi të gjetura në kuti janë 41532, vota të pavlefshme 252 dhe vota të vlefshme rezultojnë 41280.

Por mësohet se pavarësisht rezultatit, Sokol Olldashi nuk do ta ankimojë atë dhe nuk do të kërkojë numërim të votave.