Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 11:00

Sot ka filluar sesioni i Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s, ndërsa javën tjetër aty pritet të votohet anëtarësimi i Kosovës. Për këtë është duke u zhvilluar në betejë e ashpër në mes të Kosovës dhe Serbisë, të dyja me fushata për të marr sa më shumë mbështetje nga 195 shtetet anëtare. E para për të siguruar 2/3 e votave që do t’i mundësonin anëtarësim, ndërsa e dytë për ta penguar këtë.

Kosova me në krye Ministrinë e Punëve të Jashtme, po zhvillon një fushatë ku përveç tjerash ka angazhuar edhe shqiptarët e famshëm nëpër botë. Në mesin e tyre është edhe nobelisti me origjinë shqiptare Ferid Murati, raporton lajmi.net.

Ai po e mbështet këtë hap, ku ndër të tjera thotë se “duke i ofruar anëtarësim të plotë Kosovës, shtetet anëtare do ta bëjnë atë çfarë është e drejtë.

Lexoni të plotë letrën e nobelistit shqiptar, Ferid Murati:

Është një balancim delikat mes konkurrencës dhe bashkëpunimit.

Por së pari, ne duhet ta qesim kornizën e drejtë – atë të lirisë, qasjes dhe mundësive.

Babai im ka migruar në SHBA, i cili ishte një mysliman shqiptar që kishte rënë në dashuri me një amerikane presbiterian, dhe e kishte filluar një familje me të.

Prindërit e mi kishin pritur nga unë që të bëhesha një mjek, dhe mbanin shpresa të mëdha për mua, pasi që edhe atëherë vetëm pak njerëz e vazhdonin kolegjin pas diplomimit nga shkolla e mesme.

Unë mund ti kem zhgënjyer ata kur e kam zgjedhur rrugën e hulumtimeve shkencore.

Nuk ishte rruga më e lehtë, e as më fitimprurësja.

Por unë disi ndjehesha se ajo ishte rruga më e mirë për mua.

Unë doja të bëja një ndryshim.

Unë shpresoja se me pak fat, hulumtimet e mia mund ta influenconin jetën e shumë njerëzve.

Ashtu filloi e gjitha, me një ndjenjë intuite – një ndjenjë të cilën e ke kur ti e ke me vend, por duhet ta dëshmosh atë.

Duhet motivim i fortë dhe vendosmëri absolute.

Pastaj ndodhin gjëra të mira e të papritura.

Je në prag të një zbulimi tronditës.

Por në kohën mes këtyre dy momenteve, një jetë e plotë kishte shkuar huq.

Unë kam shpenzuar dekada duke kryer hulumtime bazike në oksid nitriku, edhe atëherë kur kolegët dhe shokët më thoshin se unë isha i çmendur që investoja aq shumë kohë dhe punë në të.

Përdorimi i oksidit të nitrikut është rritur, në atë të luftës kundër kancerit, kundër sëmundjes Alzeimer, sëmundjeve të zemrës, dhe shumë sëmundjeve tjera.

Është shpërblyese kur e din se puna juaj është duke pasur ndikim pozitiv në jetën e miliona njerëzve.

Unë i dua hulumtimet – kjo është tejet e qartë.

Unë dua që të punoj me njerëz të ri dhe me studentë.

Unë gjithmonë ua them atyre të vërtetën rreth zbulimeve shkencore – është një përpjekje e madhe!

Projektet e hulumtimeve janë të mëdha, afatgjata, dhe duhet përfshirë njerëz si dhe shumë para.

Ato lypin bashkëpunim të afërt brenda shtetit, dhe shpeshherë bashkëpunim të fortë edhe jashtë shtetit me Universitetet dhe Qendrat e Hulumtimeve.

Për shkak të këtij komplikimi, hulumtimet janë shndërruar nga një detyrë personale në një aktivitet masiv ndërkombëtar.

Hulumtimet shkencore i kanë dy anë: njëra është konkurrenca, një tokë shumë pjellore e cila na motivon ne nga fillimi e deri në fund.

Ne garojmë në mes vete në ambiente kolegjiale sikur që kemi garuar unë dhe shoku im i ngushtë, Ronald Delismon, gjatë viteve në çerdhe.

Sidoqoftë, ditëve të sotme ne garojmë më ndërkombëtarisht se asnjëherë më parë.

Zbulimit nuk ia nden për nacionalitetin tënd.

Trashëgimia e Ajshtajnint dhe Steve Jobs nuk njeh kufi, ajo është e njohur dhe e dashur anë e mbanë botës.

Ana tjetër është bashkëpunimi: kur natyra e gjen veten në nevojë të ideve të reja, ajo përpiqet të lidhet, jo të garoj apo të mbroj.

E njëjta gjë ndodh edhe me ne njerëzit.

Është një balancim delikat mes konkurrencës dhe bashkëpunimit.

Por së pari, ne duhet ta qesim kornizën e drejtë – atë të lirisë, qasjes dhe mundësive.

Unë jam një hulumtues me prapavijë shqiptare.

Unë kam qenë në Kosovë dhe e kam parë progresin e mahnitshëm, si dhe potencialin e të rinjve dhe studentëve atje.

Unë kam parë të njëjtën etje për sukses që e kam pasur edhe unë në vitet e mia të rinisë.

Unë kam qenë me fat që kam lindur në tokën e mundësive.

Mua më dhemb kur shoh frustrim në sytë e tyre; ata jetojnë në shtetin më të izoluar në Ballkan dhe Evropë për shkak të regjimit të kufizimit të vizave.

Ata nuk mund të udhëtojnë lirshëm për të studiuar, për kënaqësi, apo për punë.

Qasja e tyre në programe të ndryshme dhe grante të ndryshme është e limituar.

Unë jam shumë i entuziazmuar të mësojë se autoritetet Kosovare janë duke aplikuar këtë vjeshtë për anëtarësim në UNESCO, me qëllim që tu mundësoj qytetarëve të tyre më shumë mundësi.

Unë ju dërgoj atyre mbështetjen time të plotë.

Ata e kanë zgjedhur drejtimin e duhur, atë të integrimit dhe bashkëpunimit.

Qasja në programe të ndryshme shkencore ndihmon.

Hulumtimi shkencor është një bast i sigurt: edhe idetë më të thjeshta mund të kenë pasoja me ndikim të gjerë.

Është një gjë fisnike ta ndryshosh jetën e dikujt, ta njohësh përpjekjen e atij apo asaj.

Por mbi të gjitha, ne të gjithë e kemi për obligim që të jemi njerëz të drejtë.

Duke i ofruar anëtarësim të plotë Kosovës, shtetet anëtare do ta bëjnë atë çfarë është e drejtë.