Lajme Shqip Sunday, 12 June 2011 16:51

Tetovë – Siç kishte raportuar Portali Lajmeshqip.com, nobelisti shqiptar Prof. Dr. Ferid Murati është shpallur të shtunën mbrëma “Qytetar nderi” i Tetovës. Ajo që e ka karakterizuar këtë ceremoni ka qenë prania e dy liderëve të partive më të mëdha shqiptare, atij të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti dhe kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi. Ndonëse të dy në sallë kanë hyrë njëri pas tjetrit, ata nuk janë përshëndetur, ndërsa gjatë gjithë kohës kanë qenë të shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë, Arben Çejku.

Në këtë eveniment, po ashtu, ka qenë i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Skënder Durmishi. Nëpërmjet një ceremonie zyrtare të organizuar nga Komuna e Tetovës, kryetari Sadi Bexheti i ka ndarë çmimin nobelistit me prejardhje shqiptare. Gjatë fjalimit të tij, Bexheti ka thënë se kjo ngjarje është shumë e vogël krahas kësaj figure, i cili njihet në dimensione ndërkombëtare dhe botërore.

Ndërkaq, vetë Murati, është shprehur i emocionuar për nderin që i është bërë atij dhe familjes.

“Jam shumë gëzuar dhe i nderuar për këtë çmim, por siç thash në dokumentar, mendoj se shumë e rëndësishme është që ne të motivojmë rininë të punojnë fort në edukimin dhe trajnimin e tyre që nëse punojnë me mentorë të mirë dhe elan, dhe nëse ke qëllim dhe punon fort, çdo gjë është e mundur”, ka thënë Murati, pas marrjes së çmimit “Qytetar nderi” i Tetovës.