Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 00:35

Tiranë – Kolegji Zgjedhor vendosi të hënën, pak para mesnatës, të pranojë pjesërisht kërkesën ankimore të Partisë Socialiste për kryetarin e Bashkisë Tiranë.

Rikthehet shpresa për Ramën, i ngrihet buzëqeshja Bashës. Kolegji Zgjedhor vendosi të hënën, pak para mesnatës, të pranojë pjesërisht kërkesën ankimore të Partisë Socialiste për kryetarin e Bashkisë Tiranë. Fletëvotimet e kontestuara do të numërohen në mbarë Tiranën.

Kolegji vendosi që të hapen të gjitha kutitë e KZAZ-ve në Tiranë, ku ka fletë të kontestuara, që janë hedhur gabimisht në kuti.
Relatorja Dhurata Haveri u shpreh se pasi të numërohen këto fletë të kontestuara, rezultati për to do t’i shtohet shumatores aktuale që ka KQZ dhe më pas të realizohet tabela përmbledhëse për Tiranën.
Ndërkohë, Kolegji Zgjedhor ka vendosur të rrëzojë pjesën tjetër të padisë së PS-së që ka të bëjë me faktin se në fund të procesit të rinumërimit dhe ndryshimit të tabelave, rezultojnë 357 fletë votimi më shumë se sa votues.
Kolegji Zgjedhor nisi paraditen e së hënës shqyrtimin e kërkesës ankimore të PS-së për zgjedhjet lokale të 8 majit, për kryetarin e bashkisë Tiranë.
Pas rrëzimit të dy ankimimeve të para, në seancën e së hënës socialistët kërkonin gjykimin në themel të çështjes që lidhet me fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara.
PS kërkonte pavlefshmëri të dy vendimeve të KQZ-së, nr. 710 dhe 711, të cilat, sipas tyre, janë miratuar në kundërshtim me ligjin, pasi rezultati i shpallur prej tyre ka ndryshuar të gjitha tabelat e KZAZ-ve të depozituara në KQZ.
PS ankimonte dhe faktin se në fund të procesit të rinumërimit dhe ndryshimit të tabelave, rezultojnë 357 fletë votimi më shumë se sa votues, ndërkohë që edhe konsiderimi si të vlefshme i fletëve të hedhura në kutitë e gabuara bie në kundërshtim me përcaktimet e Kodit Zgjedhor.
Ankimimi kishte relatore gyqtaren Dhurata Haveri, ndërkohë që pjesë e trupës gjyqësore ishin gjyqtarët Sashenka Jonuzi, Astrit Kalaja, Marie Qirjazi dhe Meriban Mullai.