Lajme Shqip Thursday, 20 June 2013 10:26

Tel Aviv – Në ditën e dytë të qëndrimit në Izrael, presidenti i Republikës së Shqipërisë e mbylli vizitën me takimin me Komunitetin Shqiptaro-Hebre të qytetit Karmiel, të cilët i ofruan një pritje të përzemërt. Në takim ishte i pranishëm e edhe kryetari i Bashkisë së Karmiel, Adi Eldar. 

Në fjalën e tij të mirëseardhjes, kryetari i Bashkisë Eldar në emër të komunitetit Shqiptaro-Hebre dhe qytetarëve të Karmielit, shprehu kënaqësinë për praninë e Presidentit Nishani dhe delegacionit që e shoqëron në këtë qytet dhe, ndër të tjera, u shpreh se shqiptarët me origjinë hebreje janë nga ambasadorët më të vlefshëm të Shqipërisë në Izrael. 

Presidenti Nishani, në fjalën e tij, falenderoi bashkinë e Karmielit dhe kryetarin e saj Eldar për pritjen e shkëlqyer për `qytetarët e Shqipërisë, bashkëkombas tuaj` duke shtuar se ata janë gjithashtu një urë e fortë në miqësinë tradicionale dhe të sprovuar mes dy popujve dhe vendeve tona dhe promovuesit më të aftë të imazhit të Shqipërisë në Izrael. 

Më tej, Kreu i Shtetit informoi të pranishmit për zhvillimet e gjithanshme, në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, në fushën ekonomike dhe politike në Shqipëri, për të ardhmen e saj evropiane dhe rolin konstruktiv në rajon.