Lajme Shqip e Enjëte, 30 Gusht 2012 11:20

Prishtinë (PLOTESUAR 16:53)- Kosova e lirë, e pavarur, demokratike dhe sovrane është sot jo vetëm një realiteti i pakthyeshëm, por një faktor i domosdoshëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në gjithë rajonin e Ballkanit, deklaroi sot në Prishtinë presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë, në cilësinë e presidentit, Nishani është pritur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Të dy presidentët mbajtën një konferencë për mediat pas takimit. Ndërkohë, po sot në nder të kreut të shtetit shqiptar, Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne.

Kuvendi seancë solemne, Nishani: Kosova kryefjala e aktivitetit tim
Kreu i shtetit shqiptar gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, në seancës solemne të mbajtur në nder të tij, duke shprehur mirënjohjen e thellë për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë,  theksoi se cështja e Kosovës do të jetë kryefjala e aktivitet it të tij presidencial.

“Angazhohem para jush dhe popullit të Kosovës se gjatë mandatin tim, Kosova do jetë kryefjala e aktivitet tim, për njohjen e saj, si dhe mbështetja e saj për nismat rajonale dhe rrugën e integrimit euroatlantik. Mbetem i bindur se ju do gjeni kurajën për tu ngritur mbi motivet politike për të gjetur zgjidhje për cështje të Kosovës”,- deklaroi Nishani. 

Nishani ritheksoi qëndrimin e Shqiërpisë se cështja e kufijve të Kosovës është e mbyllur.
“Mbështesim bisedimet teknike Kosovë-Serbi, dhe vijat e kuqe të shtetit të Kosovës, marrëveshjet duhet të arrihen sa më shpejt që të sigurojmë pjesëmarrjen e Kosovës në cështjet rajonale. Shpreh qëndrimin e Shqipërisë se cështja e kufijve është e mbyllur dhe ne  njohim kufijtë e Kosovës”,- u shpreh Nishani. 

Nishani-Thaçi: Prioritet përshpejtimi i axhendës integruese
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi priti sot Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Siç bën të ditur zyra e shtypit e kryeministrit të Kosovës, në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për procesin e integrimit evropian të dy vendeve.

Mësohet se kryeministri Hashim Thaçi fillimisht i uroi mirëseardhje Presidentit shqiptar Nishani, në vizitën e tij të parë zyrtare në këtë cilësi në Republikën e Kosovës. Në vazhdim, Kryeministri Thaçi bëri një ekspoze të arritjeve të shtetit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë deri në periudhën e tanishme, kur edhe zyrtarisht po përmbyllet procesi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

“Suksesi i Kosovës në këto 4 vite e gjysmë të shtetësisë së saj është meritë e përkushtimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, i unitetit politik dhe qytetar për të çuar përpara proceset zhvillimore dhe integruese të Kosovës. Pas përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, prioritet kryesor vazhdon të mbetet përshpejtimi i axhendës së integrimit të Kosovës në BE dhe në NATO” – theksoi kryeministri Thaçi.

Duke folur për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë, Kryeministri Thaçi theksoi se ky bashkëpunim është i shkëlqyer dhe do të thellohet edhe më tej në fushat me interes të përbashkët, duke u fokusuar në bashkëpunimin ekonomik.

Nga ana e tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, falënderoi kryeministrin Thaçi për mikpritjen dhe theksoi se forcimi i marrëdhënieve të gjithanshme ndërshtetërore mes Kosovës dhe Shqipërisë është në interes strategjik të të dyja vendeve. (LajmeShqip.com)

************************************************

Prishtinë - Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani në vizitën shtetërore dyditshe në Kosovë, me ftesë të Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, sot fillon takimet zyrtare në Prishtinë. 

Në këtë vizitë të parë në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, Nishani kryeson një delegacion të gjerë zyrtar, në përbërje të së cilit do të jenë dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Fatos Hoxha dhe Presidenti i Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ilir Zhilla.

Konferenca Nishani-Jahjaga
Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani theksoi se kjo vizita e tij e parë si President në Kosovë do të shënohet si kujtimi më i bukur në jetën e tij.

Në konferencën e përbashkët me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, i pyetur se cili është qëndrimi i tij për formati e ri të bisedimeve në dialogun politik me Serbisë dhe Kosovës, kreu i shtetit shqiptar shprehu qëndrimin se komunikimi është i vetmi mjet për të zgjidhur problemet mes 2 shteteve. Nishani theksoi se mbështet këto angazhime të Kosovës.
“Shqipëria ka mbështetur dhe do vijojë të mbështesë angazhimet e Kosovës, të parlamentit e qeverisë në kontaktet dhe bisedimet e komunikimit. Dialogu është mjeti më fikas dhe më evropian i trajtimit sot të të gjitha problemeve që mund të kenë vendet e ndryshme.
E shkuara e Kosovës ka qenë e mbushur me vështirësi dhe sakrifica, por e ardhmja e gjithë Ballkanit është që të gjithë duhet të komunikojnë dhe sepse dialogu është mjeti për të fituar frymën e zhvillimit e pajtimit dhe prosperitetit”.

Qëndrimin e Nishanit e vlerësoi dhe presidentja kosovare, Jahjaga e cila shtoi se dialogu ka nxjerrë gjithmonë Kosovën fituese ndaj nuk ka arsye që të mos vijojë.
“Dialogu është e vetmja alternativë që duhet të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka alternativë tjetër që ka pas ky proces deri tani sa dialogu dhe ky duhet të mbyllet në interes të integrimit europian. Dialogu realizohet si një proces i vullnetshëm dhe duhet të jetë i qëndrueshëm. Kosova nuk ka dalë humbës në gjithë proceset e bisedimeve, por fitues. Dhe në gjithë marrëvëshjet e zhvilluara deri tani kemi qenë fitues”.

Më tej ishte Nishani që komentoi dhe përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Sipas presidentit të Shqipërisë, ky moment do të shënojë një hap tjetër historik për Kosovën.
“Momenti i heqjes së mbikëqyrjes së Kosovës është një moment tjetër historik që hap rrugë të re në konsolidimin e shtetit, të institucioneve të saj, në zhvillimin e prosperitetit. Marrëdhëniet kanë qenë të shkëlqyera dhe do të mbeten të tilla. Në këtë kontekst zhvillimet do të njohin gjithmonë bashkëpunim dhe frymë miqësie dhe kontribut të vazhdueshëm”.

E pyetur se cfarë përfaqëson heqja e mbikëqyrjes për Kosovën në marrdhëniet me Shqipërinë, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se, “kufiri mes Kosovës e Shqipërisë do të jetë një kufi europian që bashkon njerëzit”.

Axhenda
Në vijim, Presidenti Nishani takohet me Isa Mustafën, Kryetar i Prishtinës ndërsa në mesditë, takohet me Kryetarin e Parlamentit, Jakup Krasniqi, e më pastaj do mbahet Seancë solemne e Kuvendit të Kosovës për nder të Presidentit Nishani.

Sipas axhendës së njoftuar nga Presidenca kosovare, pasdite bëhen Homazhe te varri i Presidentit Rugova dhe vizitë në Familjen Rugova.Në vazhdim, Presidenti Nishani viziton Kishën Katolike në Binçë të Vitisë.

Të premtën, paradite Presidenti Nishani mban një ligjëratë në Universitetin AAB si dhe do të zhvillojë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” dhe vizitë në familjen Jashari.
Homazhe do bëhen edhe pasdite te Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan dhe vizitë në familjen Haradinaj, pas vizitës në Manastirin e Deçanit.

Pasdite Presidenti Nishani do jëtë në vizitë edhe në Prizren, në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në Xhaminë e Sinan Pashës. (LajmeShqip.com)