Lajme Shqip Monday, 30 June 2014 14:14

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani dekoroi sot, Presidentin e KE-së Jose Manuel Barroso, me dekoratën “Flamuri Kombëtar”. Gjatë kësaj ceremonie ai vlerësoi kontributin e BE-së për statusin, atë të qeverisë dhe partive politike si dhe të administratës shoqërore. Ndërsa Barroso shprehu vazhdimin e kontributit të tij për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Dekorata më e lartë e shtetit shqiptar iu dorëzua Presidentit Barroso me motivacionin: “Për merita të veçanta, si President i Komisionit Evropian, në mbështetjen e vazhdueshme të procesit euro-integrues dhe të afrimit institucional të Republikës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”. Nishani deklaroi se marrja e statusit është fryt i mbështetjes dhe inkurajim i shpresës së të gjithë qytetarëve shqiptarë, që kanë pranuar e mbështetur reforma të thella e të dhimbshme për hir të së ardhmes evropiane. Ai e cilësoi marrjen e statusit si një meritë e qeverisë, partive politike e administratës shoqërore:

“Ky është produkt i punës së Qeverive, Parlamentit, partive politike, shoqërisë civile, administratës shtetërore, të diplomacisë shqiptare, të cilat transformuan vendin, duke qenë vetë objekt dhe subjekt i reformave”.

Në vijim kreu i vendit falënderoi BE-në, institucionet e vendeve anëtare për ndihmën që i ofruan Shqipërisë:

“Në këtë moment dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë për të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian, qytetarët dhe institucionet e vendeve anëtare të BE-së, për mbështetjen e vazhdueshme, ndihmesën bujare, materiale dhe morale, mirëkuptimin e durimin e demonstruar ndaj Shqipërisë, në kohë të mira e të vështira”.

Pas dekorimi Barroso u shpreh mjaft i emocionuar dhe e vlerësoi këtë akt për punën e bërë me procesin e integrimit të Shqipërisë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ai gjithashtu shprehu dëshirën që ky dekorim të shërbejë si një shtysë për atë që do të bëjë në të ardhmen për Shqipërinë:

“Unë jam krenar për pozicionin që ka mbajtur BE. Ju falënderoj ju, gjithashtu dhe anëtarët e qeverisë të vendit tuaj dhe në emër të vendeve anëtare të BE-së dhe qytetarëve të BE-së sepse Shqipërinë e kemi pasur gjithmonë në vëmendje dhe e kemi parë si një burim qëndrueshmërie në rajon dhe e shikojmë si një anëtare të ardhshme të BE-së. Dhënia e statusit shënon vërtetë një moment historik, por që ka kuptim jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për mbarë rajonin, sepse Evropa nuk do të ishte kurrë e plotë nëse kjo pjesë e kontinentit nuk do të bëhesh pjesë e tij. Prandaj, ne ju falënderojmë dhe ju njohim dhe lëvdojmë vendimet sovrane që keni marrë, sepse këto u shërbejnë interesave të të gjithëve dhe të Evropës. Në përfundim, ju falënderoj shumë për organizimin e kësaj ceremonie të veçantë ku janë të përfaqësuar të gjithë krerët e shtetit dhe sinqerisht dëshiroj të vë në dukje që, kjo medalje, ashtu siç ju thashë edhe më parë, vërtetë shërben si një vlerësim për të shkuarën, por shpresoj që të më shërbejë edhe si nxitje dhe shtysë për atë që do të bëj në të ardhmen”.