Lajme Shqip e Hënë, 26 Dhjetor 2011 10:46

Prishtinë (PLOTESUAR, 26 Dhjetor, 12:30) -Ka nisur mëngjesin e sotëm të zbatohet marrëveshja për lirinë e lëvizjes, e cila u arrit në kuadër të dialogut me Beogradin zyrtar.

Ministri i brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi  tha se Qeveria e Kosovës  është serioze në implementimin e marrëveshjeve. Sipas Rexhepit  marrëveshja vlen edhe për pikat kufitare në veri të Kosovës, por se nuk mund të zbatohet në atë pjesë të vendit për arsye teknike.

“Marrëveshja vlen natyrisht edhe për veriun e Kosovës, por në veriun e Kosovës nuk ka fluks të lëvizjes dhe teknikisht kompanitë e sigurimeve ende nuk kanë bërë zgjidhje për t’i pasur kontejnerët përkatës”-ka thënë Rexhepi.

Mësohet se çmimi që duhet paguar këtyre kompanive të sigurimit gjatë kalimit të kufirit shkon nga 60 deri në 100 euro. Ministri Rexhepi thotë se kjo është një zgjidhje e përkohshme deri në arritjen e memorandumit sic është me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Zyrtarë policorë në Pikën Kufitare të Merdarës bëjnë të ditur se marrëveshja për lëvizjen e lirë ka filluar të aplikohet që në mesnatë dhe se po zbatohet pa ndonjë problem.

Qytetarët e të dyja shteteve thuhet se mund të udhëtojnë me letërnjoftim, por se për kalim në shtetin e tretë u nevojitet pasaporta.

************************

Prishtinë-Nis sot zyrtarisht zbatimi i Marrëveshjes për lëvizjen e lirë, e arritur në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Qeveria e Serbisë pritet të zbatojë marrëveshjen dhe në këtë mënyrë kartat e identitetit me mbishkrimin Republika e Kosovës, targat dhe patentat për shoferët do të hyjnë në fuqi.

Kështu makinat që nga Serbia futen në Kosovë, do të paguajnë siguracion prej 60 euro, i cili do të jetë i vlefshëm për 15 ditë.

Ministri i brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se nuk pret probleme për zbatimin e marrëveshjes.

Ndërsa, ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë se që sot do të paguhet sigurimi për makinat që nga Serbia futen në Kosovë, duke shtuar se kjo masë nuk do të zbatohet momentalisht edhe në veri të Kosovës, meqë per momentin nuk ka kushte për këtë.

Mediat serbe kanë shkruar se vendimi për lëvizjen e lirë mund t’u kushtojë qytetarëve, e sidomos serbëve të Kosovës, që mund të detyrohen të marrin targat e Kosovës. (LajmeShqip.com)