Lajme Shqip Wednesday, 29 June 2011 12:06

Prishtinë – Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj 6 zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, nën dyshimin për korrupsion dhe abuzim të 800 mijë eurove.

Sipas njoftimit nga zyra e Prokurorit të Shtetit, zyrtarët e Komunës së Prishtinës Ekrem Rexha, Ridvan Shahini, Refik Sadiku, Halil Fejziu, Qazim Bajrami dhe Hazir Krasniqi, ngarkohen për veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare në një kontratë ku dyshohet të jenë abuzuar mbi 800 mijë euro.

Dy muaj më parë policia kishte ngritur kallëzim penal ndaj gjashtë zyrtarëve komunalë, nën dyshimin për abuzim të kontratës për ndërtimin e kolektorit atmosferik mbi lumin “Prishtina”, në lagjen Kalabria në Prishtinë.

Me qëllim të përfitimit të paligjshëm, sipas akuzës së prokurorisë, në favor të ndërmarrjes private “Çlirimi” nga Korisha e Prizrenit, zyrtarët komunalë kanë tejkaluar autorizimet e tyre ligjore, duke mundësuar që kryesit të punimeve t’i paguhen 846.712.80 euro në emër të materialit të blerë, edhe pse kjo nuk ishte e  paraparë me kontratë dhe ishte në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik.

Kreu i Komunës së Prishtinës, njëkohësisht edhe kreu i partisë më të madhe opozitare, Isa Mustafa, e kishte quajtur këtë një veprim tendencioz të policisë, që, sipas tij, punon me ndikime të njerëzve të të ashtuquajturit Shërbim Informativ i Kosovës (SHIK).

Për këtë ai kishte kërkuar që lënda t’i kalohet një gjykatësi të procedurës paraprake të EULEX-it. Por, kjo kërkesë ishte refuzuar nga  gjykatësit e misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit. (LajmeShqip.com)