Lajme Shqip Sunday, 29 June 2014 18:34

Është ngritur në qytetin e Vlorës memoriali, në nder të 81 viktimave që humbën jetën në tragjedinë e Otrantos, ngjarje e ndodhur më 28 mars të vitit 1997. Në kuadër të këtij projekti në qytetin bregdetar kanë mbërritur disa pjesë të anijes famëkeqe “Kater i Radës”. Mbetjet e anijes janë sjellë falë kontributit të dhënë nga deputeti i zonës, Koço Kokëdhima, në bashkëpunim me fondacionin “Xoxa” dhe kompaninë “Thalassia” (Brindisi). Ceremonia është organizuar nga Ministria e Kulturës dhe drejtuesit e pushtetit vendor të qytetit të Vlorës. Në ceremoninë përkujtimore në nder të viktimave kanë qenë të pranishëm drejtues të pushtetit vendor në Vlorë dhe Xhuzepe Markione, ish -kryetar i bashkisë së Brindisit, në kohën kur ndodhi ngjarja. Në fjalën e tij Markione tha se, “me këtë memorial shpresojnë t’ua zbusin sado pak dhimbjen atyre  personave që humbën të dashurit e tyre 28 marsin e vitit 1997”.

Ai theksoi se, nuk duhet harruar e kaluara, në mënyrë që të tilla tragjedi të mos përsëriten në të ardhmen. “Ne mendojmë se është e dhimbshme që pas kaq vitesh të sjellim në Vlorë mbetjet e “Katerit të Radës” dhe e konsiderojmë këtë një aksion simbolik, jo vetëm që askush të mos harrojë, por dhe që tragjedi të tilla të mos përsëriten më. Mendoj se duhet të punojmë që në Shqipëri të vijnë sa më shumë pjesë të anijes ‘Kateri i Radës’.” u shpreh Markione Në 28 mars të vitit 1997, gjatë largimit drejt Italisë me anijen “Kateri i Radës”, humbën jetën 81 persona, mes të cilëve 46 gra dhe fëmijë, ndërkohë që 34 të tjerë mbijetuan. 

Kryetarja Shoqatës së Familjarëve që humbën të afërmit në tragjedinë e Otrantos bëri sërish thirrje për drejtësi.  “Më e rëndë do të ishte të harrohej këtë ngjarje sepse do të thoshte që krimi të përsëritej. Kujtesa është në mënyra të ndryshme, me gjuhën e artit, me gjuhën e këngës. Por ka rëndësi t’i kujtojmë ngjarje të tilla, ashtu siç kujtohet e mira, edhe e keqja duhet kujtuar. Ajo nuk do të na ndalojë kurrë deri sa fajtori të shkojë para përgjegjësisë”, tha Pushime Çela.