Lajme Shqip Thursday, 23 July 2015 17:00

Kryesuesi i delegacionit të Kosovës në bisedimet Kosovë-Serbi në fushën e sigurimeve, Rrahim Pacolli, ka treguar se duke filluar që nga dita e nesërme qytetarët e Kosovës të cilët janë pajisur me policën e sigurimit “TPL+”, do të mund të udhëtojnë me targa të Kosovës drejt shtetit të Serbisë.

Sipas tij, kjo marrëveshje nënkupton që qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Serbi me targa të Kosovës.

 “Lëvizja e Lirë me targa e cila është arritur me Serbinë në Bruksel, do me thënë qytetarët do të mund të udhëtojnë drejt Serbisë, me policën e sigurimit me targa të automjetit që e ka qytetari (të automjetit të juaj), pa marrë parasysh nëse targa janë “KS” apo “RKS”. Me atë policë të sigurimit, me ato targa qytetarët duhet të kalojnë, pra mund të hyjnë në territorin e Serbisë”, ka treguar për “Zëri”, Pacolli.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se nuk do të ketë asnjë ndryshim në policën e sigurimit sa i përket çmimit. /Zëri/