Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 15:40

Prestigjiozja amerikane New York Times i ka kushtuar një artikull të veçantë nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe BE-së për Stabilizim Asociim.

NYT, shkruan se ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën. Ndërkohë që ka përmendur edhe faktin se Kosova është i vetmi vend pa liberalizimin e vizave në rajon.

Kosova të martën ka nënshkruar një marrëveshje për stabilizim dhe asociim me Bashkimin Evropian, një moment historik që pritet të ndikojë në rritjen ekonomike të Kosovës.

Nënshkrimi i së martës në Strasburg, Francë, u bë në zyrën e shefit të politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini, dhe do hap rrugë për anëtarësimin të plotë përfundimtar në BE, që është partneri kryesor tregtar i Kosovës, shkruan New York Times.

Mogherini e përshkroi nënshkrimin si një “hap shumë i rëndësishëm që nënkupton një përkushtim shumë të madh të punës, nga të dyja palët”, transmeton zeri.info.

“Marrëveshja tani është në zbatim”, tha komisioneri i zgjerimit të BE-së Johannes Hahn, i cili do të vizitojë Kosovën javën e ardhshme.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa shpreson se hapi tjetër do të jetë liberalizimi i vizave.

Kosova është i vetmi vend në rajon që i duhet viza për lëvizje në vendet e BE-së.

“Sot kemi nënshkruar një marrëveshje me Bashkimin Evropian, që është një proces shumë i rëndësishëm për ne”, ka thënë Mustafa.

“Ne do të bëjmë gjithçka për të realizuar këtë hap shumë të rëndësishëm që jemi duke e marrë”.

Bekim Çollaku, ministër i Kosovës për integrim evropian ka thënë për Associated Press se “ne duam të bëhemi anëtarë të familjes evropiane, në term të integrimit ekonomik, por edhe për të ndarë vlerat e BE-së”.

Në vitin 2014, vendet e BE kanë qenë partneri kryesor tregtar i Kosovës me 30.2% të eksporteve të saj dhe 42.6% të importeve, në total 1.2 miliard euro.

Marrëveshja do u bëjë të mundur kompanive vendore të eksportojnë në vendet e BE pa tarifa doganore, duke i bërë mallrat e tyre më konkurruese.