Lajme Shqip e Diel, 13 Maj 2012 18:20

Tiranë -Shqipëria është vendi i parë që çel punimet të hënën në Tiranë të Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore e Lindore, e cila do t’i kushtojë vëmendje disa prej çështjeve dhe problemeve më kryesore me të cilat përballet aktualisht drejtësia dhe gjyqësori.

Burime zyrtare nga Gjykata e Lartë bënë të ditur se kjo konferencë është nismë e Institutit CEELI, me seli në Pragë, por duke parë interesimin dhe përfitimin e vendeve pjesëmarrëse prej saj, kryetarët e Gjykatave të Larta të 14  shteteve vendosën unanimisht që kjo konferencë të organizohet çdo vit në një nga vendet pjesëmarrëse.

Në mbështetje të këtij vendimi Shqipëria është vendi i parë që çel punimet e kësaj Konference dyditore (14-16 maj), e cila do të përshëndetet dhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nga Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, nga Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të SHBA-së për Qarkun e Dytë, John M. Walker Jr, si dhe nga Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të SHBA-së për Qarkun e Nëntë, J. Clifford Wallace.

Në Konferencë marrin pjesë Kryetarët e Gjykatave të Larta të Shqipërisë, Azerbajxhanit, Kroacisë, Republikës Çeke, Gjeorgjisë, Hungarisë, Kosovës, Letonisë, Lituanisë, Maqedonisë, Moldavisë, Malit të Zi, Sllovakisë, Ukrainës dhe gjyqtarë e juristë të shquar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në prag të çeljes së punimeve të kësaj Konference të dielën pasdite kryetarja e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Shpresa Beçaj, organizon pritjen zyrtare në Hotel Rogner. (LajmeShqip.com)