Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 11:23

Duket se kriza e refugjatëve nuk ka bashkuar partitë e koalicionit në Gjermani, duke hedhur argumente dhe kundër argumenta ndaj njëri-tjetrit. Një pikë kritike ishte edhe mbyllja e kufirit Gjermani-Austri, ndaj fluksit të refugjatëve, ku partia CSU kërkonte shqyrtimin e saj si mundësi e mirë, por u mohua kategorikisht nga partia e Merkelit, CDU.

Sipas kancelares Angela Merkel, kjo do sillte konflikte të armatosura në Ballkan, raporton EUObserver.

“Kohët e fundit në Ballkanin perëndimor ju keni parë disa herë zhvillime të tilla shqetësuese. Prandaj unë nuk dua që atje përsëri të ketë konflikte të armatosura mes shteteve”, tha Merkel, duke dashur të tregojë se mbyllja e kufirit gjerman, do sillte një barrë të rëndë për vendet ballkanike që do detyroheshin të merreshin me mijëra refugjatë.

Kancelarja shtoi se pas mbylljes së kufirit hungarez, refugjatët gjetën Kroacinë dhe Rumaninë për të ardhur në Gjermani, ndërsa në rast se mbyllen këta kufij, përsëri do gjendet një rrugë tjetër për në Gjermani. Kjo sipas saj, nuk i shërben zgjidhjes.

“Pas ndërtimit të gardhit kufitar në Hungari, njerëzit gjetën Kroacinë e Sloveninë për të ardhur tek ne ose edhe përmes Rumanisë. Nëse mbyllen këta kufij, përsëri do gjejnë një rrugë tjetër”, tha kancelarja gjermane.

Partitë simotra gjermane, CDU dhe CSU kalojnë momentet më të vështira prej bashkimit të tyre, ku nuk përjashtohet edhe mundësia e ndarjes. Edhe në partinë e koalicinit, SPD, ka një diskutime intensive për të ardhmen e qeverisë gjermane. E gjithë kjo për mendim ndryshe ndaj politikës së refugjatëve.