Lajme Shqip Monday, 21 October 2013 11:43

Tiranë- Mungesa e kreditimit nga bankat po i detyron bizneset dhe individët të gjejnë rrugë të tjera financimi. Prej më shumë se një viti, bankat e nivelit të dytë e kanë vështirësuar deri në pamundësi marrjen e një kredie. Raportet e Bankës së Shqipërisë tregojnë për rritje të kërkesës për kolateral, ulje të shumave që financohen, si dhe rritje të marzhit për kreditë. E thënë ndryshe, bankat japin para, por kriteret e tyre janë të pamundura për shumicën dërrmuese të bizneseve dhe individëve, shkruan sot Panorama. Në kushte të tilla, kur bizneset dhe individët kanë nevoja të zhvillohen por nuk gjejnë derën hapur te bankat, po ndodh gjetja e rrugëve të tjera. Sondazhi i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon me diplomaci se qytetarët dhe bizneset po marrin para jashtë bankave. “Faktorët kryesorë që kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të bizneseve, gjatë tremujorit të tretë të vitit, janë situata aktuale dhe e pritshme makroekonomike në vend, mungesa e kërkesës për financimin e investimeve fikse dhe përdorimi i burimeve alternative të financimit. Nga ana tjetër, besimi i konsumatorëve dhe burimet alternative të financimit kanë ndikuar negativisht nivelin e kërkesës për kredi të individëve”. Në të dyja rastet, “burimet alternative të financimit” po largojnë qytetarët dhe bizneset nga bankat. E thënë më thjesht, bizneset dhe qytetarët po marrin para me fajde. Nga të njohur të tyre apo nga individë të tjerë që zotërojnë shumë të mëdha parash. Rritja e fajdeve ka marrë përmasa shqetësuese. Fakti që Banka e Shqipërisë e përmend në raport, do të thotë që fenomeni është bërë masiv.

Skema

Funksionimi është i njëjtë me piramidat e përjetuara më parë, por në të kundërt. Janë individë të caktuar që pranojnë financimin e bizneseve apo qytetarëve, pra i japin para hua, me interesa që realisht janë të frikshëm. Në tregun e Tiranës qarkullojnë njerëz që huazojnë shuma deri në qindra-mijëra euro, me interesa shumë më të lartë se të bankave, por të gatshëm për financim. Në tregun informal mund të marrësh kredi me interesa 5 deri 7 për qind, jo në vit, por në muaj. Skema funksionon e thjeshtë. Në rast se kërkon një financim prej 10 mijë eurosh për një vit, duhet të paguash 7 për qind në muaj. Pra 700 euro çdo muaj. Në fund të vitit duhet të paguash edhe shumën totale. Por çfarë garancie kanë “bankierët”?! Duke qenë treg informal, edhe garancitë janë informale. Marrëveshjet nënshkruhen mes palëve dhe si garanci në bazë të shumës që financohen lihen makina, shtëpi apo deri dyqane. Në rastet e vonesave, atëherë në skemë hyjnë njerëzit “e fshehur”. Garantët e mbledhjes së borxheve nuk janë përmbarues, por njerëz që kanë metodat e tyre informale për kryerjen e pagesës së çdo kësti. Në të kundërt, shkohet para noterit dhe makina, shtëpia apo biznesi i kalon në emër “bankierit” nga ku u morën paratë.

Bankat

Bankat në Shqipëri, jo vetëm që s’po japin më kredi, por duket se po rikthejnë situata aspak normale. Fajdet kanë ekzistuar edhe në kohët e arta të sistemit bankar, por kurrë kaq hapur dhe dendur. Moskreditimi nuk po frenon vetëm ritmet e rritjes ekonomike, por po ndikon edhe në fenomene që kanë lënë plagë të frikshme. Përsëritja në raportet e Bankës së Shqipërisë së fjalisë “rrugë alternative financimi” është një alarm i qartë. Në grafikun që boton sot gazeta, duket qartë që bankat jo vetëm nuk po e shtojnë kredinë për ekonominë, por po e ulin atë. E thënë më ndryshe, po marrin më shumë këste sesa po japin kredi të re. Pra, po tërheqin financimet. Në fund të gushtit, kredia për bizneset ishte 100 milionë dollarë më e ulët se në dhjetor të vitit 2012. Pra, bankat jo vetëm nuk i kanë mbajtur të njëjta, por kanë tërhequr financimet. Ndërsa për individët shifra është e frikshme. Financimi në gusht është afërsisht i barabartë me financimin në dhjetor të vitit 2010. Kjo tërheqje e bankave sigurisht që është zëvendësuar, dhe rrugët tashmë janë gjetur, te tregu i zi i kredive./koha/