Lajme Shqip Wednesday, 21 October 2015 14:46

Procesi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, në tërë këto javë, ka qenë përballë një propagande dhe lobimi për mos-pranim nga ana e politikanëve dhe institucioneve të Serbisë.

Për këtë çështje është dyshuar se mund të ketë inskenim të ndonjë incidenti, në ndonjë objekt të trashëgimisë kulturore ose fetare të Kosovës, që do të ishte në dëm të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Koha.net se këto ditë kanë intensifikuar aktivitetet në mbrojtje të këtyre objekteve, me qëllim të parandalimit të ndonjë incidenti eventual.

“Disa nga këto objekte të (Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare) ruhen 24 orë/7 ditë, ndërsa për të gjitha objektet tjera PK-ja kujdeset gjatë punëve të rregullta. Normalisht që edhe këto ditë ne i kemi intensifikuar aktivitetet në mbrojtjen e këtyre objekteve me qëllim të parandalimit të ndonjë incidenti eventual i cili kishte me pas ndikim edhe në këtë proces”, është përgjigjur Policia e Kosovës.

Më tej policia ka thënë se objektet e trashëgimisë kulturore e fetare sigurohen vazhdimisht nga policia, dhe se në bazë të vlerësimeve merr edhe veprime të nevojshme.