Lajme Shqip Monday, 31 August 2015 17:04

Ndryshimet e TVSH-së të cilat do të fillojnë të aplikohen nga 1 shtatori (e martë) nuk pritet të kenë efekte të mëdha, pasi lirimi i çmimeve nuk do të jetë aq sa e presin dhe kanë nevojë qytetarët.

Ulje të TVSH-së do të ketë për produktet esenciale nga 16 në 8 për qind siç janë kripa, vaji, mielli, rryma e ngrohja. Ndërkaq për produktet e tjera do të ketë rritje të TVSH-së nga 16 në 18 për qind, që shprehur në përqindje i bie rritje e TVSH-së prej 12.5 për qind për shumicën e produkteve tjera.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Nahit Sharku ka thënë se si ATK janë gati për të implementuar përshkallëzimin e TVSH-së.

Sipas tij, ligji i ri për TVSH-në ka ndikime në dy aspekte. “Në përgjithësi ka ndikime ekonomike dhe sociale. Në aspektin ekonomik i ndihmon bizneset, pasi ata nuk do të paguajnë TVSH në makineri, linja të prodhimit dhe në lëndë të parë, ndërsa pjesa e tjetër ka të bëjë me uljen e normës së TVSH-së nga 16 në 8 për qind”, tha Sharku për Telegrafin.

Ai ka treguar se kanë bërë të gjitha përgatitjet që më 1 shtator të fillohet me zbatimin e mirëfilltë të ligjit në fjalë.

Armen Idrizi, menaxher gjeneral i shitjes në “Meridian Express” ka thënë për Telegrafin se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të aplikuar TVSH-në sipas ligjit të ri.

Ai thotë se ligji ka pas disa paqartësi.

“Jemi përgatit pavarësisht se ligji nuk i ka specifikuar shumë sende. I kemi marr të gjitha masat administrative dhe i kemi implementuar pjesën e çmimeve që kanë pas zbritje por edhe ngritje. Për hir të korrektësisë me konsumatorët, ne si Meridian Express i kemi vendosur çmimet që kanë me pas zbritje me ngjyrë të ndryshme për dallim me ata që kanë me pas ngritje, që me mujt edhe konsumatorët vet me kalkulu zbritjen nga 16 në 8 për qind. Por ka pas furnitorë që i kanë rritur çmimet më herët në mënyrë që me pas të njëjtin çmim edhe pas uljes se TVSH-së”, ka bërë të ditur Idrizi.

Ndërkaq ekspertët e ekonomisë thonë se efektet e pakos së re fiskale respektivisht ndryshimi i TVSH-së nuk pritet të kenë efekte të menjëhershme për qytetarët dhe bizneset.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime strategjike dhe sociale “STRAS”, Ibrahim Rexhepi ka thënë për Telegrafin se përshkallëzimi i TVSH-se është i mirëseardhur, nëse ai implementohet tërësisht siç është përshkruar në ligj dhe nëse kjo reflekton në uljen e çmimeve, përkatësisht ndikon në ngritjen e standardit jetësor të qytetareve.

“Por, dyshoj se kjo mund të arrihet, së paku jo në masën se sa presin qytetarët. Së pari, ata duhet të kenë të qartë se për shumë produkte nuk do të ketë rënie të madhe të çmimit, meqenëse aty ndikojnë in-putet, të cilat tash janë me normën e TVSH-së 18 për qind, si karburantet. Mund të ketë edhe mosrespektim të ligjit, përkatësisht që pronaret ta mbajnë në nivelin e deritashëm, mirëpo, këtu duhet të reagoj ATK-ja, e cila duhet të insistoj që të zbatohet norma e ulët e TVSH-së për produktet e caktuara”, thotë ai.

Sipas drejtorit të “STRAS”-it efektet nuk mund të jenë të menjëhershme.

“ATK-ja nuk ka kapacitet të mjaftueshëm, bizneset nuk janë të përgatitura pasi nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për riprogramimin e arkave fiskale”, vlerëson Rexhepi.

Rexhepi habitet se si kjo pako e re fiskale aplikohet tre muaj par përfundimit të vitit fiskal.

“Një problem që do t’i lëndojë më shumë bizneset, është ajo se si kjo pako nise të implementohet tre muaj para përfundimit të vitit fiskal, apo në kohën kur duhet të përmbushën kontratat e arritura sipas standardeve të më hershme, përkatësisht sipas normave të vjetra tatimore. Është një praktikë që ndryshimet në ligjet fiskale, respektivisht paketa e re fiskale gjithmonë miratohet së bashku me ligjin për Buxhetin. Por, po veprohet në këtë mënyrë, meqenëse kjo qeveri ka nevojë për para – njëkohësisht insiston që të përmbushë disa prej premtimeve elektorale, përkatësisht ato që janë përfshirë në programin e saj të punës”, ka thënë drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi.

Ndërkaq zyrtarët e Ministrisë së Financave (MF), kanë thënë për Telegrafin se qëllimi i ndryshimit të ligjit të TVSH-së ka qenë përkrahja e ekonomisë së vendit dhe qytetarëve.

“Ndër hapat më të rëndësishëm që reflektohet në ligjin e TVSH-së në reformën fiskale, përpos përshkallëzimit të TVSH-së dhe uljes së pragut, është lirimi nga TVSH-ja i linjave të prodhimit dhe makineritë që ndërlidhen me linjat e prodhimi, lëndës së parë si dhe lirimi i pajisjeve të Teknologjisë informative. Kjo masë pritet të përmirësoj likuiditetin e bizneseve prodhuese vendore, kjo e një rëndësie të veçantë duke marr parasysh koston e lartë dhe vështirësitë për ndërmarrjet në qasje në financa. Gjithashtu presim që këto masa, në periudhën afat-mesme, do të shërbejnë si një stimul shtesë në ngritje të investimeve private dhe rrjedhimisht prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Për më shumë, këto masa në periudhën afat-gjatë pritet se do të mundësojnë rritjen graduale të aftësisë konkurruese të bizneseve kosovare edhe në tregjet ndërkombëtare”, është thënë në përgjigjet e Zyrës për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Financave për Telegrafin.

Nga ndryshimi i TVSH-së grumbullohen miliona euro. “Vlerësimet fillestare nga ndryshimi i ligjit të TVSH-së për këtë periudhe tregojnë për një inkasim prej rreth 15 milionë eurosh. Mirëpo, këto janë vetëm vlerësime dhe vlera mund të ndryshoj varësisht nga tendenca e importit të produkteve të cilat preken me këtë ligj”, theksohet në përgjigjet e MF-së.

Në këto ndryshime përfshihet ulja e TVSH-së, prej 16 në 8 për qind për produktet esenciale:
1. Buka
2. Furnizimi me ujë
3. Vaji
4. Kripa
5. Sheqeri
6. Furnizimi me rrymë
7. Ngrohja
8. Mbeturinat
9. Qumështi.
  /Telegrafi/