Lajme Shqip Saturday, 11 August 2012 08:24

Tiranë – Ish-presidenti I Shqipërisë Bamir Topi, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Sali Berisha, duke thënë se zgjedhja e kreut të ri të SHISH është një hap i rëndësishëm prapa.

“Për mua personalisht nuk ka asnjë lloj surprize, pasi gjithçka është e paralajmëruar nga unë katër vite më parë në prag të ndryshimeve kushtetuese, kur shikohej qartë një marrje e plotë e kompetencave, sidomos kur bëhej fjalë për zgjedhjen e presidentit”, tha Topi.

Ai tha se drejtuesit e institucioneve nuk janë më zgjedhje politike, por zgjedhje partiake. “Nga kjo pikëpamje ky shkarkim padyshim që sjell shumë pikëpyetje për ecurinë e këtij institucioni, i cili për hir të vërtetës ka qenë një institucion që arriti në standarde të larta, duke iu larguar atyre institucioneve që kishin ndikim nga politika”, tha Topi.

Ish- presidenti deklaroi se nuk ka pasur asnjë propozim nga kryeministri Sali Berisha për ndryshimin e kreut të SHISH gjatë kohës që ai ishte president.

“Nuk ka pasur absolutisht asnjë propozim. I vetmi debat ka qenë ai për ndryshimin e ligjit të SHISH, ligj që nuk ishte në ato standarde. Pati një protestë nga aleatët tanë. Një ligj i ndryshuar pa u konsultuar me aleatët, sidomos me SHBA, nuk ofronte asnjë sinjal pozitiv se institucioni do vendosej në standardet e NATO-s.”

Presidenti u shpreh se tani vendi po shkon drejt totalitarizmit. “Ka simptoma të qarta të një politike totalitariste që Shqipëria e ka flakur që në vitin 1992. Brenda dy-tre javësh keni parë ndryshime të rëndësishme në institucione kushtetuese dhe janë të gjitha kandidatura politike të mazhorancës.”

Presidenti komentoi edhe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe pse nuk ai këmbënguli në votimin për nënkryetarin kur ishte president.

“Unë zhvillova një betejë parimore në KLD. Ishte një tendencë e qartë që tregonte se kërkohej një kandidaturë e mazhorancës. Tentativa e kryeministrit është e qartë: për të kapur çdo institucion dhe për të futur frymën totalitariste në vitin 2012,” tha Topi.

Gjatë intervistës Topi deklaroi se tanimë nuk ka dyshim, ai do kthehet në politikë me FRD. “Nëse ka pasur një mëdyshje, tani unë e them se tani është detyrim për të hyrë në politikë. Në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit do të nis karrierën politike me FRD”. (LajmeShqip.com)