|
|
e Enjëte, 18 Tetor 2012 16:22 Prishtinë – Për ndërhyrjen e Policisë së Kosovës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ka bërë që të reagojnë edhe partitë opozitare, duke e vlerësuar si shkelje e demokracisë në Kosovë. Për këtë veprim edhe Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri do të kërkojë llogaridhënie nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se qëndrimi i partisë është se deklarimet e djeshme të ministrit në seancë janë një kërcënim i drejtpërdrejt për demokracinë e Kosovës.
Sipas tij, kërcënimi i ministrit të Punëve të Brendshme se nuk guxon askush t’i dal përpara: as deputetët, as kryetari i parlamentit, as presidentja dhe as qeveria, është një kërcënim që rrezikon demokracinë. “Dje ka qenë i rrethuar i gjithë kuvendi dhe ka qenë e vështirë qasja. Po ashtu, edhe sot kur unë kam ardhur në 8 e 30 në kuvend ka pas policë gjithandej, ka pas diku mbi 15 në hyrjen e kuvendit të stacionuar, po ashtu edhe brenda. Prezencën e tyre unë nuk e di”, ka thënë Gashi.
Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se kjo po tregon një tendencë uzurpuese ndaj institucioneve publike. “Kryetari i ka dal në mbrojtje Kuvendit ashtu siç i takon. Ai ishte në rregull në fjalën që e tha. Sot Kuvendi ka më shumë policë e truproje sesa deputetë, madje këta policë pengojnë deputetët të hyjnë në institucione publike. Fjala e kryetarit është një thirrje dhe ajo thjesht duhet të përfillet nga qeveria, që po e tregon një tendencë autokracie dhe uzurpuese ndaj institucioneve publike”, ka thënë Ymeri.
Ndërsa, kryetari i Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri, Ahmet Isufi ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të funksionojë si institucion me përgjegjësinë që e ka dhe askush nuk duhet të ndërhyjë në punën e tij. Isufi ka thënë se duhet pasur kujdes me ndërhyrjen Policisë së Kosovës në Kuvend, pavarësisht nga kush janë urdhëruar, pasi që, siç ka thënë ai, Kuvendi është organi më i lartë shtetëror i cili duhet të punojë në bazë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
Për më tepër, ai ka thënë se Komisioni do të kërkoj llogaridhënie nga ministri Rexhepi për këtë urdhër.“Ne do ta shqyrtojmë në komision ndërhyrjen e policisë dhe veprimet të cilat kanë ndodhur. Unë e thashë dhe po e them se detyrë e ministrit është të bëjë politikat e ministrisë dhe jo të marrë detyrën operacionale të policisë, sepse janë detyra të ndara”, ka theksuar Isufi.
Zyrtari i AAK-së nuk i di arsyet e ndërhyrjes së policisë, por ka thënë se ministri duhet ta sqarojë pse në mëngjes, pa asnjë nevojë, kanë qenë forcat e sigurisë në Parlamentin e Kosovës.
Ndryshe, në mëngjesin e sotëm, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ka pasur forca të shtuara të policisë, gjë që ka bërë që kryeparlamentari Krasniqi ta ndërprejë seancën plenare derisa të largohen policia nga ndërtesa. Pas një ore seanca ka vazhduar punimet.(LajmeShqip.com)