Lajme Shqip Friday, 28 June 2013 10:08

Tiranë, 28 qershor – Partia Socialiste pritet të ndajë pothuaj gjysmën e kabinetit të saj qeveritar me aleatët. Pas mbylljes së procesit zgjedhor për Kuvendin 2013, kreut socialist, Edi Rama pritet të nisë qysh sot konsultimet për qeverinë e re të vendit, raporton BW. Partia Socialiste firmosi një marrëveshje me të gjithë aleatët e saj, në nisje të fushatës së zgjedhjeve të 23 qershorit dhe mbi bazën e saj, tashmë pritet të ndahet edhe torta e pushtetit.

Kështu, në këtë marrëveshje të firmosur nga 37 partitë e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane thuhet se: “Pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 është e gatshme për të bashkëqeverisur me çdo forcë politike që përfaqëson një numër votash si shprehje të vullnetit të popullit në nivel qarku nga 500 deri 1000 vota dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota, pa cenuar statusin e nëpunësit civil dhe në respekt të çdo ligji që rregullon marrëdhëniet e administratës publike”, shkruan bw.

“Për subjektet politike që do të arrijnë të marrin mbi 10.000 vota, do të ketë një bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror”, vijon marrëveshja. Ndërkohë që kur një parti merr një mandat, ajo mund të kërkojë një vend në qeverinë e koalicionit pas zgjedhjeve, por kjo duhet të konsultohet me partitë e tjera.

Ndarja e pushtetit
Sipas përllogaritjeve të votave, Lëvizja Socialiste për Integrim është partia që mund të përfitojë 4 deri në 5 ministri, pasi në këto zgjedhje ajo ka arritur të marrë afërsisht 200 mijë vota. Por tashmë është folur se edhe kryetari i Kuvendit do t’i përkasë LSI-së, përpos posteve të tjera në nivel lokal.

Nuk dihet nëse vetë kreu i LSI-së do të pranojë të bëhet kryetar i Kuvendit apo këtë do ta marrë dikush tjetër nga LSI. Ndërkaq, në bazë të marrëveshjes, janë dy prej partive të koalicionit të madh të PS-së që do të përfitojnë poste ministrore. PBDNJ ka fituar një mandat deputeti, ndaj edhe ka pretendimet për të drejtuar një ministri.

Edhe Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë me marrjen e një mandati në Kuvendin e Shqipërisë, fiton automatikisht të drejtën për të kërkuar edhe një dikaster në qeverinë “Rama”. Por ende nuk është përcaktuar se cilën ministri, pasi kjo, po sipas marrëveshjes, do të diskutohet dhe nuk do të jetë thjeshtë një dëshirë e kristiandemokratëve.

Një tjetër kryetar, Spartak Ngjela i Partisë Ligj e Drejtësi ka deklaruar publikisht se ka një marrëveshje me Ramën për një post ministri, pavarësisht se në total, PLD ka marrë vetëm 2489 vota, gjë që nuk i jep asaj në bazë të marrëveshjesh këtë shpërblim. Ndërkaq, janë 5-6 parti në koalicion, të cilat në bazë të votave që kanë marrë në nivel qarku do të shpërblehen me drejtues në këtë nivel.

Kështu PSD, pavarësisht një posti zv.ministri në qeveri, në qarqet e Tiranës, Lezhë, Shkodër, Fier e Elbasan, në bazë të marrëveshjes që është diskutuar në prill mund të marrë edhe poste në nivel drejtorish në rang qarqesh. Poste zv.ministrash mund të marrë edhe PBDNJ, PDS e Milos apo edhe PSV ’91, por gjithsesi kjo do të varet nga negociatat që pritet të fillojnë me partitë.

Ndarja e posteve për aleatët sipas marrëveshjes me PS

PARTIA SOCIAL-DEMOKRATE (SKËNDER GJINUSHI)
- Zv/ministër
- Poste në nivel Drejtorësh e Prefektësh
(Qarku Tiranë, Qarku Lezhë, Qarku Shkodër)
Qarku Fier, Qarku Elbasan)

PARTIA DEMOKRACIA-SOCIALE (PASKAL MILO)
- Zv/ministër
- Poste në nivel drejtorësh e prefektësh
(Qarku)
Tiranë, Qarku Korçë, Qarku Lezhë, Qarku
Shkodër, Qarku Vlorë, Qarku Fier, Qarku Berat, Qarku Elbasan)

PARTIA KRISTIAN DEMOKRATE (DHIMITËR MUSLIA)
- Ministër
- Poste në nivel drejtorësh e prefektësh
(Qarku Tiranë, Qarku Shkodër)

PARTIA BASHKIMI PËR TË DREJTAT E NJERIUT (VANGJEL DULE)
- Ministër
- Zv/ministër
- Poste në nivel drejtorësh e prefektësh (Qarku Tiranë, Qarku Korçë, Qarku Lezhë, Qarku Shkodër, Qarku Vlorë, Qarku Gjirokastër)

PARTIA SOCIALISTE E VËRTETË PSV ’91 (PETRO KOÇI)
- Poste në nivel drejtorësh e prefektësh
(Qarku Tiranë, Qarku Fier)

PARTIA LIGJ DHE DREJTËSI (SPARTAK NGJELA)
- Poste në nivel drejtorësh e prefektësh
(Qarku Tiranë)