Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 13:43

Kukës – Tentoi t’i jepte policisë në kufi identitetin tjetër, Avni Sejdia. Emri i tij, në listën e Interpolit për mashtrim bankar.

Policia e Kukësit ndaloi mbrëmë për llogari të Interpolit biznesmenin Hajdin Sejdia. Burime nga Policia bënë të ditur se arrestimi është kryer rreth orës 22:00, teksa ai po lëvizte nga Tirana në drejtim të Kosovës. Blutë kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të tij dhe, siç mësohet, e kanë ndaluar atë në afërsi të pikës kufitare me Kosovën për verifikim. Sipas një burimi policor, i dyshuari ka tentuar të paraqitet me emrin Avni Sejdia dhe fillimisht nuk i është bindur urdhrit për shoqërimin e tij në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukësit, duke pretenduar identitetin e mësipërm.

Me gjithë insistimin e tij, blutë e kanë ndaluar dhe, pasi vërtetuan se ai ishte i kërkuari nga Interpoli, kanë njoftuar eprorët e Tiranës. Policia e Kukësit ishte mjaft e rezervuar mbrëmë në dhënien e informacionit për shkak të skedës së Hajdisë, si dhe precedentëve të mëparshëm që kanë të bëjnë me skemat piramidale në Shqipëri dhe mashtrime në shuma të konsiderueshme edhe në shtete të tjera. Burime nga Policia bënë të ditur se Hajdin Sejdia ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Emiratet e Bashkuara për mashtrim bankar. Policia nuk kishte të dhëna në lidhje se sa është shuma për të cilën biznesmeni kërkohej, pasi ai është ndaluar thjesht për llogari të Interpolit. Hajdin Sejdia është ekstraduar edhe disa vite më parë nga autoritetet zvicerane, sepse ai akuzohej për mashtrim të shumë personave në shuma të konsiderueshme. Ai kishte përdorur edhe andej të njëjtën skemë mashtrimi si në Shqipëri me skemat piramidale.

Por pasi bëri shtatë vjet burg në Zvicër, më pas arriti të fitojë lirinë. Pas kthimit në Tiranë, ai hyri në tratativa me pronarët e tokës në krah të Bibliotekës Kombëtare dhe, pasi bleu tokën, shpalosi idenë e tij për një hotel madhështor. Që nga ajo kohë, për shumë vite u hap një gropë e madhe, e cila u kthye në vatër prostitucioni dhe të përdoruesve të drogës. Vetëm pak kohë më parë u kthye në lulishte. Sejdia krijoi edhe shoqërinë “Iliria Holding”. I ndaluari mbrëmë në Policinë e Kukësit nuk është marrë në pyetje, pasi sipas burimeve, në rastet kur ai kapet për llogari të një shteti tjetër, puna e tyre mbetet veç në nivel procedural. Nuk konfirmohet nëse ka edhe shtete të tjera që mund të kenë kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e tij për të njëjtën akuzë, atë të mashtrimit.(LajmeShqip.com)