Lajme Shqip Saturday, 03 August 2013 14:35

Tiranë- Kolegji Zgjedhor ka pranuar dje ankimimin e bërë nga Partia Socialiste, duke bërë ndarjen e mandateve për 12 qarqet e vendit. Në një seancë gjyqësore, që zgjati rreth 5 orë, u morën 12 vendime për shpalljen e rezultatit në secilën zonë zgjedhore, së bashku me emrat e deputetëve të rinj të Kuvendit.

Në përfundim të kësaj mbledhje rezultoi se koalicioni fitues i zgjedhjeve, Aleanca për Shqipërinë Europiane do të ketë 83 mandate, përkatësisht PS-ja 65 (2 deputetë në listën e PS janë të LSI e PBDNJ), LSI-ja 16 mandate, PBDNJ-ja 1 dhe PKDSH-ja 1 mandat. Ndërsa koalicioni i djathtë, Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim do të ketë 57 mandate, ku PD-ja ka 46 deputetë, PDIU ka 5, PR 4, dhe LZHK e PDK nga 1 mandat.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimimit, Partia Socialiste pretendoi se qëndrimi i PD-së, që kundërshton marrjen e vendimit, bëhet për ta zgjatur më tej këtë proces. Sipas përfaqësuesit të PS-së, Koli Bele: “Në përfundim të këtij procesi zgjedhor, me qëndrimin e Partisë Demokratike dhe pretendimet që ajo ngre duke kërkuar minuta shtesë për një ndeshje që ka përfunduar, duken absurde dhe të pavenda”.

Nga ana tjetër, demokratët u shprehën se vendimmarrja e Kolegjit është antikushtetuese dhe lanë të hapur mundësinë që t’i ankimojnë 12 vendimet në Gjykatën Kushtetuese.

“Kërkesa e PS-së është jashtë afatit, nuk është drejtuar në institucionin e duhur dhe nuk parashikon procedurën e duhur. Kërkesa e PS-së është antikushtetuese pasi presupozohet që Kolegji do të marrë atributet e një organi tjetër përpara se ai organ t’i ushtrojë. Sot u bë e qartë për të gjithë shqiptarët që Kolegji Zgjedhor preferoi të shkelte ligjin më mirë se sa të shkelte pushimet që kishin prenotuar në vendet ekzotike. Lidhur me ankimimin në Kushtetuese, fillimisht do të presim zbardhjen e vendimeve”, tha përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso.