Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 19:36

Tiranë – Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes, që u zhvillua në Bruksel më 8-9 qershor, ku ministrat e Mbrojtjes së 28 vendeve të NATO-s, morën disa vendime të rëndësishme, mes të cilave edhe qëndrimin e trupave të NATO-s për 3 muaj të tjerë në Libi.

Sipas njoftimit për shtyp nga MM, në fjalën e tij në këtë takim të lartë ministri Imami rikonfirmoi edhe një herë mbështetjen që vendi ynë i jep misionit të NATO-s në Libi e më gjerë, duke ofruar të gjitha kapacitetet që ai disponon në favor të paqes dhe lirisë.

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, duke informuar mediat mbi punimet e këtij Ministeriali, tha se një nga çështjet kryesore ishte ajo e operacioneve në Libi dhe Afganistan. Për operacionin në Libi Shqipëria e mbështeti këtë angazhim të NATO-s, duke ofruar edhe kapacitetet portuale apo aeroportuale që ajo ka.

Duke u ndalur tek Afganistani, Imami theksoi se FA Shqiptare do të vazhdojnë të shtojnë efektivat atje. Në këtë kuadër, nga muaji korrik, 20 ushtarakë të tjerë do të kontribuojnë në një kompani që trajnon ushtrinë afgane. Sipas tij, misioni në Afganistan ka hyrë në një fazë të re tranzicioni, ku po shkohet drejt kalimit të përgjegjësive qeverisë afgane dhe në veçanti policisë dhe Forcave të Sigurisë Afgane për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.