Lajme Shqip Monday, 26 October 2015 16:30

Për të rregulluar tregun e naftës duhet që në Kuvend të dërgohet Ligjit për Tregun e Naftës dhe Ligji për Rezervat Shtetërore. Pastaj duhet më shumë trupa inspektuese që do të thoshte më shumë përgjegjësi nga shitësit si dhe duhet liberalizim i tregut në fushën e operatorëve të arkave fiskale, për të vënë rend në këtë fushë e edhe të ndihmohen bizneset.

Këto janë hapat që duhet bërë në mënyrë që pikat e shitjes të fiskalizohen e jo të vazhdohet sikur tani, ku nga 800 pika të karburanteve sa llogaritet që janë në Kosovë, janë fiskalizuar me arka të veçanta vetëm rreth 50 prej tyre, raporton lajmi.net.

Instituti për Politika Zhvillimore INDEP e vlerëson se është shqetësuese që në vendin tonë ka një kategori të industrisë që në një formë apo tjetër po i reziston rendit ligjor në Kosovë dhe duke mos u fiskalizuar.

Dardan Abazi nga ky institut thotë se meqë pikat e shitjes së derivateve nuk po pajisen me arka fiskale të veçanta, kështu dëmtohet buxheti i Kosovës.

 “Buxheti i Qeverisë dëmtohet më së shumti, ndërsa është e pakuptimtë tendenca e Qeverisë për të lejuar monopolet , e këtë e kemi pa edhe me rastin e mosfuksionalizimin e Autoritetit të Konkurrencës, i cili që dy vite është jofunksional vetëm për të shkak të mungesës së vullnetit të Qeverisë për të dërguar emra të anëtarëve të Bordit”, tha ai për lajmi.net.

Abazi vlerëson se Kuvendi nuk ka qenë shumë i fuqishëm kundrejt Qeverisë për të imponuar ndryshimet e nevojshme.

Por, ai beson se më në fund pritet të liberalizohet tregu i operatorëve të shitjes së arkave fiskale, e presin që nga ky proces që Shoqata e Naftëtarëve të mos ketë më arsye për mosfiskalizim.

“Nëse do kishim operatorë konkurrentë të lirë dhe pastaj medoemos do kishim edhe çmime më të lira për fiskalizim dhe procesi i fiskalizimit do të shtrihej në të gjitha pikat e shitjes së naftës. Çmimi për fiskalizim nuk është arsyetim por kanë të drejtë të ankohen”, tha ai.

Abazi thotë se shteti është i pafuqishëm që të inspektojë pikat shitëse nëse po lëshojnë kuponë fiskal e në anën tjetër vakumi ligjor dhe institucional i lejon Shoqatës së Naftëtarëve të jenë faktor më shumë se që duhet. /lajmi.net