Lajme Shqip Saturday, 12 October 2013 11:21

Tiranë- Edhe pse u tha se ndërtimi i kësaj xhamie do të kushtonte 30 milionë euro, nga të cilat 10 milionë euro do të financoheshin nga qeveria turke dhe ajo kuvajtiane, duket se vetë Komuniteti Mysliman Shqiptar nuk ka pasur para mjaftueshëm për finalizimin e projektit.

Në këtë situatë, për të siguruar pjesën tjetër të parave, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka hapur një fushatë, me anë të së cilës kërkon të mblidhen donacione nga besimtarët për ndërtimin e këtij objekti kulti të myslimanëve.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë hap fushatën e mbledhjes së donacioneve nga e gjithë Shqipëria e më gjerë për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës. Ftojmë të gjithë besimtarët dhe të interesuarit që të bëhen pjesë në këtë projekt historik për besimtarët myslimanë shqiptarë.

Ndërtimi i xhamisë ka nisur me fillimin e gërmimeve dhe ndihma e besimtarëve është shumë e rëndësishme për vazhdimin e punimeve. Emrat e kontribuuesve me shumat përkatëse, sipas dëshirës, do të shpallen në www.kmsh.al dhe www.tiranagrandmosque.com. Kontribuuesit me 10.000 Euro e më shumë do të kenë emrin në pllakadën e donatorëve të Xhamisë së Madhe të Namazgjasë”, thuhet në njoftimin e KMSH-së.

Por ndërkohë në rrjetin social Facebook, ku është hapur edhe një faqe dedikuar Xhamisë së Namazgjasë, kanë filluar të vijnë edhe donacionet e para.

Kështu ka pasur edhe nga ata që kanë siguruar tashmë që emri do t’u shkruhet në pllakadën e donatorëve, pasi kanë dhuruar 10 mijë euro, ndërsa shumica janë donatorë modestë me 1000 dollarë.

Xhamia e re e myslimanëve do të ndërtohet në të njëjtin vend, tek lulishtja e Namazgjasë.

Nuk do të zbatohet i njëjti projekt, i cili kishte marrë edhe lejen për ndërtim, por myslimanët tashmë duhet t’i futen punës dhe të bëjnë gati një projekt të ri për xhaminë e tyre.

Që sigurisht duhet t’i përshtatet edhe sipërfaqes së truallit që ata kanë në dispozicion, prej 5500 metrash katrorë, pasi familja Kruja, me rënien e projektit të godinës së saj, e tërheq edhe truallin prej 2050 metrash katrorë që i kishte lënë KMSH-së, për ndërtimin e xhamisë më të madhe të myslimanëve të Shqipërisë.