Lajme Shqip Thursday, 22 October 2015 13:44

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në cilësinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës mori pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (EPP), ku ishte në panelin qendror të Kongresit, që u zhvillua në Madrid të Spanjës.

 Para përfaqësuesve të partive anëtare të familjes më ta madhe politike evropiane, kryeministri Isa Mustafa mbajti një fjalim, ku ndër të tjera tha se qytetarët e Kosovës janë qytetarë evropianë dhe se ata meritojnë të kenë vendin e tyre në familjen e shteteve evropiane, ashtu si LDK-ja, e cila është pjesë e Partisë Popullore Evropiane.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa po ashtu ka folur për avancimin e proceseve integruese evropiane të Kosovës, duke theksuar se tashmë Kosova i ka përmbushur kriteret dhe se së shpejti pritet nënshkrimi i MSA-së dhe vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Kryeministri Isa Mustafa po ashtu foli për objektivat kryesore të koalicionit qeverisës të drejtuar nga LDK-ja, që janë rritja më e shpejtë ekonomike e Kosovës, forcimi i sundimit të ligjit dhe integrimi në BE. Duke folur për vendimet shumë të vështira dhe të ndjeshme me të cilat Qeveria e Kosovës është ballafaquar këtë vit, si themelimi i Gjykatës Speciale, marrëveshjet në dialogun me Serbinë dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, kryeministri Mustafa tha se të gjitha këto vendime do të ndikojnë në forcimin e sistemit të drejtësisë, paqes, stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Sa i takon marrëveshjeve me Serbinë, kryeministri Mustafa tha se ka ngecje në implementimin e tyre. Ndërkaq, lidhur me faktin se këto marrëveshje kanë hasur një rezistencë të fortë nga partitë opozitare në Kosovë dhe veprime të dhunshme dhe jodemokratike, kryeministri Isa Mustafa tha se këto veprime nuk përkrahen nga qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Mustafa foli edhe për hapat e Qeverisë në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, duke theksuar se e Kosova ka miratuar ligjin që ndalon qytetarët tanë për të marrë pjesë në luftëra të huaja, dhe strategjinë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Lidhur me migrimin e fillimit të këtij viti, kryeministri tha se Qeveria ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të menaxhuar situatën, se Kosova është një vend i sigurt dhe se Qeveria e Kosovës angazhohet në mbështetjen e procesit të riintegrimit të qytetarëve të saj.

“Kosova do të nënshkruaj këto ditë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, presim anëtarësimin tonë në UNESCO dhe të bëhemi anëtar i Këshillit të Evropës. Ne jemi duke u përqendruar në projektet e zhvillimit, investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të punës. Duke forcuar stabilitetin ekonomik, ne synojmë të hapim rrugën e një integrimi më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

Qytetarët e Kosovës janë qytetarë evropianë dhe ata meritojnë të kenë vendin e tyre në familjen e shteteve evropiane, sikurse edhe partia ime, LDK-ja është pjesë e Partisë Popullore Evropiane. Qytetarët e Kosovës nuk e kuptojnë se pse ata duhet të mbeten të vetmit të izoluar me regjion.

Ne kemi përmbushur kriteret për liberalizim dhe presim këtë vit caktimin e datës”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke i falënderuar anëtarët e EPP-së për përkrahjen e tyre në procesin e integrimit evropian.

Gjatë qëndrimit në Madrid, kryeministri Isa Mustafa, mori pjesë në takimet e Asamblesë Politike të EPP-së, si dhe ka zhvilluar takime me homologë si dhe liderë të partive evropiane të qendrës së djathtë, anëtare të EPP-së.